Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi të martën se gjatë kësaj jave ai do të heqë ndalesën për udhëtime nga Afrika e Jugut dhe shtetet e tjera në rajon.

 

Kjo ndalesë ishte vendosur për shkak të frikës nga përhapja e variantit Omicron të koronavirusit, që fillimisht u detektua në Afrikën e Jugut në muajin nëntor.

 

“Kufizimet në udhëtime nuk janë më të nevojshme për të mbrojtur shëndetin publik”, tha Biden, duke shtuar se heqja e ndalesës do të hyjë në fuqi të premten, më 1 janar 2022.

 

Presidenti Biden tha se këtë vendim e ka marrë duke u bazuar në këshillën e Qendrave të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve. Ai shtoi se hulumtuesit amerikanë, “në bashkëpunim me shkencëtarët e Afrikës së Jugut, që fillimisht e raportuan këtë variant, kanë bërë përparim thelbësor në kuptimin e variantit Omicron”.

 

Përderisa Omicroni është shpërndarë në mbi 100 shtete të botës, përfshirë edhe në SHBA, niveli i kërcënimit nga ky variant konsiderohet i ulët krahasuar me frikën që kishin më herët zyrtarët, pasi “ekspertët kanë përcaktuar se njerëzit që janë të vaksinuar kundër COVID-19 janë të mbrojtur nga sëmundja e rëndë”, tha presidenti Biden.

 

Shtetet në mbarë botën vendosën kufizime ndaj shteteve në jug të Afrikës pasi Afrika e Jugut njoftoi për detektimin e variantit të ri Omicron më 24 nëntor.

 

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kombet e Bashkuara kanë qenë kundër ndalesave në udhëtime, ndërkaq zyrtarët në Afrikën e Jugut kanë thënë se me këto ndalesa, ata janë ndëshkuar për faktin se e kanë identifikuar variantin Omicron dhe kanë qenë transparent për një gjetje të tillë.

 

Ndalesa e SHBA-së u aplikua për Afrikën e Jugut, Botsvanën, Zimbabvenë, Namibinë, Lesoton, Esvatinin, Mozambikun dhe Malavin./ rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *