Presidenti Joe Biden miratoi vendosjen e forcave ushtarake shtesë në Evropën Lindore. Sipas planit mësohet se SHBA do të dërgojë rreth 2000 trupa amerikane në Poloni dhe Gjermani, ndërsa 1000 trupa do të lëvizin nga Gjermania në Rumani.

Duke iu referuar korrespondentes së DW-së Teri Schultz, trupat në Poloni do të mbahen në gatishmëri të lartë. Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, theksoi se ata nuk do të luftojnë në Ukrainë. “Nuk janë lëvizje ushtarake të përhershme” – tha ai. “Ata u përgjigjen kushteve të situatës aktuale”.

Një njësi operacionale e forcave ajrore, Stryker, e përbërë nga rreth 1000 anëtarë të shërbimit të SHBA që gjendet aktualisht në Gjermani, pritet të transferohet në Rumani, mësohet nga burime të Pentagonit. Po sipas tyre, rreth 1700 trupa, kryesisht nga Divizioni i 82-të Airborne, do të zhvendosen nga SHBA në Poloni. Rreth 300 anëtarë të tjerë do të shkojnë në Gjermani.

Korrespondenti i DW-së në Uashington, Oliver Sallet, e quajti këtë një lëvizje simbolike, duke pasur parasysh se tashmë ka 60.000 trupa amerikane të stacionuara në Evropë. Në një postim në Twitter, ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, përshëndeti dislokimin duke deklaruar se: “Forcimi i pranisë së SHBA në Poloni me 1700 trupa, është një sinjal i fortë solidariteti në përgjigjje të agresionit të mundshëm rus kundër Ukrainës”. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e përshëndeti gjithashtu këtë dislokim. Pas njoftimit, Kremlini tha se kjo ishte një lëvizje “e dëmshme”.

“Këto janë hapa tepër të dëmshëm që rrisin tensionin ushtarak dhe zvogëlojnë hapësirën për vendime politike” – tha zëvendësministri i Jashtëm rus Alexander Grushko, për agjencinë ruse të lajmeve Interfax.

Reduktime të mundshme të raketave në Evropë

Lajmi mbi dislokimin e trupave amerikane erdhi pasi dokumentet e zbuluara nxorrën në dritë informacionin, se SHBA i tha Rusisë, se është e gatshme të diskutohet një marrëveshje për vendosjen e raketave.

E përditshmja spanjolle “El Pais” publikoi dy dokumente nga NATO dhe SHBA, që ishin përgjigje ndaj kërkesave ruse të sigurisë në Evropë. “Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të diskutojnë masat e transparencës reciproke të bazuara në kushte dhe angazhime reciproke, si nga Shtetet e Bashkuara ashtu edhe nga Rusia, për t’u përmbajtur nga vendosja e sistemeve të raketave sulmuese tokësore dhe forcave të përhershme me një mision luftarak në territorin e Ukrainës,” thuhet në dokumentin e SHBA-së.

SHBA tha se do të ishte e gatshme të diskutonte “një mekanizëm transparence për të konfirmuar mungesën e raketave Tomahawk në vendet e Aegis Ashore, në Rumani dhe Poloni”.

Sistemet amerikane Aegis Ashore janë krijuar për t’u mbrojtur kundër raketave me rreze të shkurtër ose të mesme veprimi. Rusia pretendon se këto sisteme mund të armatosen me raketa Tomahawk me rreze të mesme veprimi dhe të përdoren për të sulmuar Rusinë. Dokumenti thotë, se do të duhet të konsultohet ngushtë me aleatët e NATO-s, veçanërisht me Rumaninë dhe me Poloninë.

Dokumentet nuk përmendin asgjë që ka lidhje me shpresat e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n – çështja kryesore që ka shqetësuar Moskën.Në dokumentin e NATO-s, 30 aleatë thanë se “rikonfirmojnë angazhimin e tyre ndaj politikës së dyerve të hapura të NATO-s”.

Burimet konfirmuan për DW, se dokumenti i NATO-s me rrjedhje infomacionesh ishte me të vërtetë përgjigja e aleancës ndaj Moskës. Ky informacion u mbështet më vonë nga zëdhënësi Kirby i Pentagonit.

Rusia ka grumbulluar më shumë se 130.000 trupa në kufirin me Ukrainën, së bashku me pajisje të rënda dhe furnizime, duke shkaktuar frikën e një pushtimi të afërt. Rusia ka mohuar se synon të pushtojë Ukrainën, por ka parashtruar kërkesa të ndryshme ndaj atyre që konsiderohen si kërcënime të NATO-s.

Rusia kërkon mbështetjen e Kinës

Presidenti rus Vladimir Putin, në reagimet e tij të para publike, akuzoi SHBA-në dhe aleatët e saj për injorimin e kërkesave të tyre kryesore, por tha se Moska ishte e hapur për bisedime për të ulur tensionet.

Ndërkohë, Kremlini njoftoi se Kina do të mbështeste Moskën për shqetësimet e saj të sigurisë, kur Putin të marrë pjesë në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore gjatë kësaj jave. Këshilltari kryesor i Kremlinit për politikën e jashtme, tha se “Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping mbajtën një qëndrim të përbashkët për sigurinë globale”.

“Është përgatitur një deklaratë e përbashkët mbi marrëdhëniet ndërkombëtare që hyjnë në një epokë të re” – u tha gazetarëve Juri Ushakov. Ai tha se kjo do të pasqyronte “pikëpamjet e përbashkëta” të Moskës dhe Pekinit për sigurinë.

Bisedimet Putin – Johnson

Të mërkurën (02.02), kryeministri britanik Boris Johnson foli me presidentin rus Vladimir Putin, në një telefonatë që mbërriti vonë, për shkak të problemeve të brendshme në Mbretësinë e Bashkuar. Johnson i tha Putinit, se çdo sulm i papritur në Ukrainë do të ishte një përllogaritje e gabuar dhe tragjike. “Kryeministri shprehu shqetësimin e tij të madh për aktivitetin aktual armiqësor të Rusisë në kufirin ukrainas” – tha një zëdhënës nga zyra e Johnson. “Ai theksoi nevojën për të gjetur një zgjidhje, e cila respekton integritetin territorial të Ukrainës dhe të drejtën për vetëmbrojtje. Kryeministri theksoi se çdo sulm i mëtejshëm rus në territorin ukrainas do të ishte një përllogaritje e gabuar dhe tragjike.”

Sipas Kremlinit, dyshja shkëmbeu pikëpamje të hollësishme mbi krizën “e brendshme” të Ukrainës dhe kërkesat e sigurisë së Rusisë. Putin tërhoqi vëmendjen për “sabotazhin kronik të Kievit” në marrëveshjet e Minskut dhe vuri në dukje “mosgatishmërinë” e NATO-s për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Rusisë. Përpara kësaj telefonate, Kremlini kish përqeshur politikanët britanikë për “marrëzinë dhe injorancën” e tyre./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *