Subscribe

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe delegacioni i BE në Tiranë bëjnë apel për realizimin një reforme zgjedhore, e cila të zbatojërekomandimet e OSBE-ODIHR.

Vizion plus ka pyetur ambasadën amerikane në Tiranë për qëndrimin e saj ndaj reformës, por edhe për deklaratën e një dite më parë të Lulzim Bashës, ku i falënderonte për mbështetjen për këtë reformë dhe ambasada ka sqaruar se ka zhvilluar takimet me bashkëkryetarët dhe anëtarët e këtij komisioni, por këto takime nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi.

“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim.”

Ndërkohë ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë një aktiviteti për menaxhimin e mbetjeve të ngurta në Gjirokastër, sqaroi se Brukseli apelon për një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

“Mendoj se reforma zgjedhore është e rëndësishme për të gjithë. Ka rëndësi për të gjithë, jo vetëm për mazhorancën apo opozitën, por për të gjithë.

Mendoj se kam qenë shumë i qartë dhe kjo është e shkruar bardh e zi në raportin vjetor. Për reformën zgjedhore kemi nevojë për një dialog konstruktiv dhe gjithëpërfshirës. Nuk mendoj se mund të jem më i qartë se kaq”

Pas këtyre reagimeve Lulzim Basha përsëriti falënderimin për Shtetet e Bashkuara, BE, Mbretërinë e Bashkuar dhe OSBE-ODIHR-in dhe mbështetjen që ato i japin procesit.

Aktualisht Lulzim Basha ka bashkëkryetarin e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe të drejtën e vetos për këtë reformë. Kundër kësaj po protestojnë deputetët e drejtuar nga Sali Berisha dhe Gazment Bardhi prej 3 muajsh në séance plenare. Ky grupim kërkon nga mazhoranca dhe po lobon pranë ambasadorëve që meqenëse përfaqësojnë shumicën e deputetëve dhe anëtarëve të PD të kenë të drejtën të realizojnë reformën zgjedhore si forca më e madhe politike e opozitës dhe PD reale. Por deri më tani duket se e drejta e vetos për këtë reformë i mbetet Lulzim Bashës./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *