Fundjava nuk ishte e ngarkuar për Leicester City-in, kjo pasi ata nuk ishin të angazhuar në asnjë ndeshje për kupat e Anglisë. Kjo i ka favorizuar ata që të kalojnë një periudhë riorganizimi në Dubai, për të qenë sa më në formë për ndeshjen e kthimit me Sevillan në Champions League. Rezultati 2-1 i sfidës së parë, i ka lënë me shpresa kampionët e Anglisë se mund ta përmbysin në King Power.

 

Në fundjavë klubi zyrtarizoi konfirmimin deri në fund të sezonit të Craig Shakespeare si trajenr i skuadrës. Ish-asistenti i Nigel Pearson dhe Claudio Ranierit ka marrë mbështetje si nga skuadra ashtu edhe nga drejtuesit e klubit, kjo pas dy fitoresh të rëndësishme ndaj Liverpoolit dhe Hull City-it në kampionat.

 

Ndryshimi i atmosferës në radhët e grupit sikurse dhe rezultatet pozitive i japin optimizëm “Dhelprave” se të martën gjërat mund t’u ecin mirë kundër Sevillas. Për sa u përket andaluzëve, ata barazuan 1-1 Leganesin në shtëpi. Pas barazimit 1-1 me Alaves të hënën që shkoi, skuadra e Jorge Sampaolit lëshoi sërish pikë duke mbetur tashmë 5 pikë prapa Realit të Madridit. Në Ramon Sanchez Pizjuan, u desht sërish ndihma e Stevan Jovetic për të shmangur disfatën.

 

Malazezi realizoi golin e tretë personal duke barazuar në minutën e 43-të. Edhe pse në tërësi Sevilla e dominoi lojën, përpara mungoi konkretizimi, cka ishte dhe kritika e vetme që Sampaoli u bëri të tijëve.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *