Ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi se plani është që provimet e klasës së nëntë dhe ato të maturës të zhvillohen. Me anë të video-mesazhi në “Facebook”, Shahini tha se nxënësit duhet të vijojnë me përgatitjet sipas planit.

 

“Shkollat janë të mbyllura, por ne mësimin po e vazhdojmë. Sot që flasim, kemi diku tek 90% të nxënësve që janë në komunikim direkt me mësuesit e tyre. Ndoshta jo komunikim ditor, por komunikim i rregullt që të marrin instruksionet që duhet t’i bëjnë në shtëpi, detyrat e shtëpisë që duhet t’i bëjnë. Ndaj, nuk ka ende arsye të mendojmë që provimet kombëtare nuk do të mbahen. Ju duhet të planifikoni që provimet kombëtare do të mbahen sipas planit që kemi bërë deri tani.”

 

E pyetur shpesh për vlerësimin që do të kenë nxënësit për këtë periudhë, Shahini sqaroi:

 

“Nesër apo pasnesër, ne do e mbyllim udhëzuesin për të gjithë mësuesit dhe mënyrën se si do të vlerësohet puna e nxënësve gjatë këtyre javëve që kanë punuar nga shtëpia. Vlerësimi do të ketë dy elemente. Është elementi i pjesëmarrjes, pra nxënësi do të vlerësohet me pjesëmarrjen e vet sipas parashikimeve të mësuesit dhe sipas kushteve që ka; dhe e dyta, nxënësi do të vlerësohet edhe me njohuritë që i ka fituar gjatë kësaj periudhe.”

 

Ministrja Besa Shahini pohoi se transmetimi online i mësimeve do të vijojë. Të enjten u vendos që shkolla të shtyhet deri në 3 prill prej koronavirusit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *