Kosova më në fund ka marrë përgjigje nga organeve kompetente të Serbisë, që ndërlidhen me procesin hetimor të vrasjes së politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviç.

 

Përmes një njoftimi për mediat Prokuroria Speciale e Kosovës, bën me dije se më në fund ka marrë përgjigje në lidhje me kërkesat e saj për vrasjen e Ivanoviçit.

 

“Në kërkesën e parë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila është paraqitur për herë të dytë, për dërgimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse, të SMS-ve dhe IMEI-t në telefonat e viktimës, Oliver Ivanoviq, organet serbe kanë thënë se këtë kërkesë duhet drejtuar te Telekomi serb (MTS) në Mitrovicën e Veriut, edhe pse nga PSRK-ja (Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës) kjo kërkesë në fillim është dërguar pikërisht te Telekomi serb në Mitrovicën e Veriut, i cili ka thënë se në pamundësi teknike, duhet drejtuar organeve kompetente në Serbi”.

 

Më kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës thuhet se zëvendësprokurori kundër krimit të organizuar në Beograd ka intervistuar dëshmitarin Sasha Jankoviç, ku një kopje e procesverbalit të intervistës dhe shkresat e tjera përcjellëse i janë dorëzuar Prokurorisë Speciale të Kosovës.

 

Organet serbe, vijon komunikata, në bazë të kërkesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës për ekzaminimin e klonimit të gëzhojave dhe predhave të gjetura në vendin ku ka ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviçit, kanë bërë ekzaminimin e kërkuar dhe kanë thënë se arma e përdorur në vrasjen e Oliver Ivanoviçit, sipas gjetjeve, nuk ka hasur në përputhshmëri të përdorimit të saj në ndonjë rast tjetër në Serbi.

 

“Të gjitha këto që u cekën më lart do të jenë pjesë përbërëse e shkresave të lëndës se rastit Ivanoviq, ndërsa PSRK-ja është e gatshme për vazhdimin e bashkëpunimit me organet kompetente të Serbisë, me qëllim të zbardhjes së vrasjes së Oliver Ivanoviçit”.

 

Ivanoviç, lider i nismës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, është vrarë me 16 janar të vitit 2018, para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën Veriore.

 

Nën dyshimet për përfshirje në këtë vrasje, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, tre persona janë arrestuar dhe një tjetër mbetet në kërkim. Por, lidhur me këto arrestime, organet në Serbi kanë shprehur dyshime të theksuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *