Senatori amerikan Robert Torriçeli i ka derguar një apel forcave politike në Shqipëri, duke i kërkuar krerëve të partive të tyre të lënjë mënjanë interesat individuale përpara atyre kombëtare. Në një intervistë për Vizion Plus, senatori Torriçeli i kërkon palëve të lënë mënjanë mosmarrëveshjet dhe ambicjet e tyre për pushtet dhe të mëndojnë në radhë të parë për vendin e qytetaret.

 

Intervista e plotë me senatorin amerikan, Robert Torriçeli

­

Zoti Torriceli, para së gjithash, do të doja të dija opinionin tuaj për Shqipërinë. çfarë ndryshimesh vini re nga vizita juaj e fundit këtu dhe më pas një koment në lidhje me situatën aktuale politike?

 

Sa herë që vij në Tiranë, qyteti më duket ndryshe. Ky është një qytet i mrekullueshëm, që rritet çdo vit, me standarde shumë të mira. Çdo gjë duket se përmirësohet nga viti në vit me përjashtim të trafikut që më duket se është përkeqësuar.

 

Cili është komenti juaj për krizën aktuale politike. Opozita është në protestë dhe ka bojkotuar parlamentin, duke kërkuar qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme?

 

Të dyja forcat politike kanë qenë pozitive me vendin tim, apo e çështjeve që ne mbrojmë, si në rastin e refugjatëve iranianë. Ne kemi mundur t’u gjejmë një strehë këtyre refugjatëve. Kërkesa e qeverisë amerikane gjeti mbështetjen e të gjitha forcave politike në Shqipëri dhe kjo është diçka e rëndësishme. Unë shpresoj që në këtë periudhë krize politike në Shqipëri, institucionet e vendit të forcohen dhe të funksionojnë dhe që demokracia të depërtojë mjaftueshëm thellë për të mbrojtur të ardhmen.

 

Një nga reformat kryesore, e mbështetur nga populli shqiptar por edhe ndërkombëtarët, reforma në drejtësi ka ngecur për shkak të bojkotit të opozitës. cfarë ndodh në SHBA kur mes republikanëve dhe demokratëve ka diferenca të mëdha për një çështje të caktuar? 

 

Për çdo vend, institucionet janë gjithmonë më të rëndësishme sesa individët, pasi ato trashëgohen brez pas brezi. Duhet të sigurohemi që të kemi një sistem gjyqësor për të cilin njerëzit besojnë se është i lirë dhe i drejtë dhe që i mbijeton ndërrimit të administratave politike dhe po ashtu duhet që sistemi zgjedhor të jetë i lirë dhe i drejtë, duke mos u ndryshuar pas çdo palë zgjedhjesh. Në këtë mënyrë ndërtohet demokracia. Shpresoj dhe uroj që të gjitha forcat politike do të gjejnë gjuhën e përbashkët, jo sepse favorizoj njërën apo tjetrën, por sepse mendoj se ky është një vend i mrekullueshëm, me njerëz të mrekullueshëm.

 

Shqipëria i drejtohet zgjedhjeve të qershorit me mundësinë e një bojkoti të opozitës. Cila mendoni se do të ishte zgjedhja e duhur për mazhorancën në këtë rast: të gjejë një rrugë për ta përfshirë opozitën në zgjedhje, edhe me mundësinë e shtyrjes së datës, apo të shkojë e vetme në zgjedhje? 

 

Unë vij si një mik në vendin tuaj dhe preferoj të mbeten i tillë. Të gjitha forcat politike janë treguar pozitive me Shtetet e Bashkuara. Por e vetmja këshillë që dua t’i jap shqiptarëve është se në fund të ditës nuk bëhet fjalë për kandidatët, për partitë politike, por për vendin. Të gjithë duhet ta kenë parasysh këtë. Partitë politike ikin e vijnë, ashtu si edhe kandidatët, por vendi mbetet. Të gjithë duhet të kenë këtë si prioritet, të ardhmen e vendit.

 

Çfarë do të kishte ndodhur për shembull në SHBA, nëse mbështetësit e partisë demokratike do të kishin vazhduar për ditë të tëra protestat kundër zgjedhjes së Trump, duke kërkuar largimin e tij ose mbajtjen e zgjedhjeve të reja?  

 

Edhe ne në SHBA kemi patur mosbesim të rezultatit të zgjedhjeve më përpara, ashtu si edhe rezultate shumë të ngushta, siç ndodhi në vitin 2000 me Al-Gor dhe Bushin, aty ku rezultati ishte i paqartë. Kishim gjithashtu paqartësi në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të vitit të kaluar, aty ku fitorja e Trump erdhi si një surprizë shumë e madhe. Gjithashtu kemi patur zgjedhje me kandidatin Nikson, kur ishte një garë aq e ngushtë, saqë ishte thuajse e pamundur të kuptoje se cili kishte fituar. Ajo që ka rëndësi, është se vetë kandidatët mbajtën një qëndrim se ajo që mbetet në fund është kombi, duke mos vendosur interesat personale përpara atyre të njerëzit dhe të vendit. Këtë u sugjeroj gjithashtu të bëjnë edhe politikanët shqiptarë. Kjo është një demokraci e re, do të duhen breza të tërë që institucionet të maturohen dhe të forcohen. Njerëzit nuk duhet të dekurajohen. Duhen kohë që institicionet të funksionojnë ashtu si njerëzit kërkojnë. Prandaj mos u dekurajoni. Edhe ju do të jeni një demokraci e fortë dhe shumë funksionale një ditë.

 

Flasim për marrëdhëniet e administratës Trump me Rusinë. A shikoni një rrezik real të rritjes së ndikimit rus në Ballkan, pasi shumë veta mendojnë se Moska po përpiqet të destabilizojë rajonin tonë dhe priten madje ndikime edhe në zgjedhjet në Shqipëri?   

 

Nuk dua të jem zjarrvënës në lidhje me këtë çështje dhe them se duhet të jemi të qetë dhe objektivë. Por tashmë është e qartë se ka një përpjekje nga ana e rusëve për të ndërhyrë në zgjedhje. Është e provuar tashmë ndërhyrja ruse në Shtetet e Bashkuara, por po ashtu është e qartë ajo që po ndodh në Francë, por edhe në shtete të tjera të Europës Perëndimore. I bëj apel njerëzve në Shqipëri të jenë të kujdesshëm. Në veçanti një apel kam për mediat: kontrolloni burimet tuaja. Kini kujdes për ato që thuhen. Do të promovohen shumë gjëra të rreme. Trupat zgjedhore këtu duhet të jenë të kujdesshme për kontaktet e tyre. Është e sigurt që ekziston një program rus për të ndikuar në zgjedhje.

 

Si i gjykoni vendimet e fundit të administratës Trump, urdhrat ekzekutivë për të ndaluar shtetasit nga gjashtë vende për të hyrë në SHBA, si edhe idenë e ngritjes së murit me Meksikën?

 

E simpatizoj idenë e presidentit Trump për të siguruar vendin dhe që duhet të ketë një proces vetingu për njerëzit që hyjnë në SHBA. Mendoj se perceptimi që kjo që synohet të bëhet lidhet me fenë, është për të ardhur keq dhe sigurisht edhe i paligjshëm. Ne duhet të jemi të kujdesshëm për të mbrojtur vlerat amerikane, për të krijuar një vend sa më të sigurtë për qytetarët tanë, por sigurisht pa shkelur kushtetutën dhe lirinë. Në lidhje me çështjen e Meksikës, çdo vend duhet të sigurohet që njerëzit që hyjnë e dalin prej tij ta bëjnë këtë në mënyrë të ligjshme. Kjo gjë vlen me vendin tuaj, me Europën dhe në përgjithësi kudo. Duhet të jemi të kujdesshëm për këtë. Është çështje tjetër mënyra sesi synohet të bëhet kjo gjë. Por ne duhet të fitojmë kontrollin e kufijve.

 

Zoti Torriceli, ju jeni një mbështetës aktiv i opozitës iraniane MEK. Cilat janë arsyet kryesore që ju shtynë t’i mbështesni?
Diktatura në Teheran përfaqëson saktësisht gjithë antivlerat për të cilat unë nuk bie asnjëherë dakord në politikën ndërkombëtare. Mungesën e tolerancës, diktaturën fetare, dëshirën e qeverisë për të shtypur dhe torturuar popullin e vet, kërcënimin për rendin botëror, zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë. Nëse hidhni një vështrim rrotull globit sot për ato qeveri që janë më të këqijat e të gjitha kohërave, më mizoret ndaj njerëzve të tyre dhe më të rrezikshmet përsa i përket zhvillimit të armëve bërthamore e kimike, do të gjeni Korenë e Veriut dhe Iranin. Dhe është e patolerueshme që në shekullin e 21-të të gjithë ne të jetojmë nën një kërcënim të tillë. Pas gjithë vuajtjeve që kemi kaluar në shekullin e 20-të, përfshirë këtu edhe vuajtjet e popullit iranian, ekzistenca e një qeverie të tillë është kundër të gjitha parimeve që më kanë udhëhequr si politikan dhe si njeri.

 

Ju lutem na thoni diçka më konkrete në lidhje me ndihmën që i ka dhënë Shqipëria refugjatëve nga Irani.   

 

Shqipëria ka marrë një rol të jashtëzakonshëm. Refugjatet nga Irani jo vetëm që kanë të drejtën për të jetuar dhe të flasin e marrin frymë lirisht, por anembanë globit ata përfaqësojnë shpresën për liri dhe demokraci në Iran, një alternativë përballë diktaturës shtypëse që zhvillon armë bërthamore në Teheran. Irani është një vend i madh, me një kulturë të fortë për t’u mbajtur peng nga këta diktatorë. Janë shumë njerëz që e kundërshtojnë këtë. Më shumë se 1 milionë iranianë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara po japin me vullnetin e tyre kontribut për këtë çështje. Janë qindra mijëra të tjerë që e bëjnë këtë në Europën Perendimore. Por kur vitin e kaluar në Bagdat u krijua një krizë dhe kur dhjetra persona jetonin të rrezikuar në një ish-bazë ushtarake amerikane në rrethinat e Bagdatit. Ata duhet të zhvendoseshin diku shumë shpejt dhe në këtë moment lidershipi i shfaqur nga Shqipëria ishte i lavdërueshëm. Mendoj se kjo është diçka të cilën qeveria amerikane nuk do ta harrojë kurrë. Gjermanët morën disa nga refugjatët, britanikët po ashtu dhe kanadezët, por shqiptarët morën shumë më tepër. Kjo është diçka e jashtëzakonshme.

Intervistoi: Edvin Peçi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *