Sekuestrohen 11 kg kanabis, pranga 5 personave

Pesë persona janë vënë në prangat e policisë për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Gjatë 24 orëve të fundit nga tre operacione policire të zhvilluara është sekuestraur një sasi prej 11.2 kg kanabisi si dhe 40 doza.
Shërbimet e “Forcave Shigjeta” arrestuan 2 persona si dhe sekuestruan 40 doza kanabisi në Kryeqytet. Sipas policisë në pranga kanë rënë shtetasit M.B., 15 vjeç, pasi gjatë kontrollit në trup iu gjetën 32 doza kanabisi. Ndërkohë pas kontrollit të një automjeti të tipit ‘Skoda’ në rrugën “Lord Bajron”, u zbuluan 8 doza kanabisi si dhe arrestuan drejtuesin e automjetit Erin Koçiaj 21 vjeç.
Gjithashtu policia nisi procedim në gjendje të lirë edhe për E.B., 22 vjeç. Në fshatin Cakran në Fier, pas një informacioni të marrë në rrugë operative efektivët e rendit arrestuan 27-vjeçarin Durim Korçari. Pas kontrollit në banesën e tij, policia zbuloi një sasi prej 5 kilogramë kanabisi.
Ndërkohë policia e Kukësit goditi një tjetër rast të trafikut të lëndëve narkotike, ku agjentët zbuluan një sasi prej 6.2 kilogramë kanabisi Policia arrestoi drejtuesin e mjetit Izmir Haxhia, 38 vjeç dhe Eduart Matmujën, 35 vjeç.




