E enjte, 8 Tetor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 20:00 Në vijim ora 20:00: Det i Trazuar Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Ekonomi

Sejko takon zyrtarin e BB: Synimi i BSH mbetet anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim pune me Emanuel Salinas, përfaqësues i Zyrës së Bankës Botërore (BB) në Shqipëri.

Në krye të takimit, Guvernatori Sejko i përcolli Salinas, një falënderim të veçantë për asistencën teknike të ofruar ndër vite nga Banka Botërore për Bankën e Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave, ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe edukimit financiar.

Reklamë

Në vijim, Guvernatori kreu një ekspoze të panoramës ekonomike në vend të fokusuar në stabilitetin financiar, rritjen ekonomike, ecurinë e kreditimit dhe depozitave. Ai theksoi se gjysma e parë e vitit 2024 është karakterizuar nga një rritje e mirë ekonomike, me zhvillime pozitive në tregun e punës në drejtim të papunësisë dhe nivelit të pagave, përmirësim i treguesve fiskalë dhe zbutje e ndjeshme e presioneve inflacioniste, të cilat u pasuan nga vendimi i BSH-së për uljen e normës bazë të interesit në nivelin 3% në muajin korrik.

Gjithashtu Guvernatori diskutoi lidhur me një ndër objektivat strategjikë të Bankës së Shqipërisë si modernizimi i sistemeve të pagesave dhe më konkretisht anëtarësimi në Tregun Unik të Pagesave në Euro, njohur ndryshe si SEPA, dhe zbatimi i projektit për pagesat e shpejta (Instant Payment), për të cilin Banka e Shqipërisë po bashkëpunon ngushtë me ekspertët e Bankës së Italisë. Në këtë kuadër, Banka Botërore mund të luajë një rol mbështetës për këtë projekt me rëndësi strategjike për Bankën e Shqipërisë dhe zhvillimin e pagesave në vend.

Reklamë

Një tjetër prioritet i Bankës së Shqipërisë këtë periudhë, në të cilën angazhimi i Bankës Botërore mbetet i një rëndësie të veçantë, ka qenë përmirësimi i kuadrit rregullativ për sistemin financiar dhe sidomos në fushën e mbrojtjes së konsumatorit në mënyrë që të sigurohet mbrojtja e interesave më të mira të konsumatorëve përballë zhvillimeve të vazhdueshme të këtij tregu.

Nga ana e tij Salinas përgëzoi Guvernatorin Sejko për angazhimin e shfaqur gjatë zbatimit me sukses të projekteve të përbashkëta dhe u shpreh se Banka Botërore do të vijojë të angazhohet që programet e  asistencës teknike dhe bashkëpunimi ndërinstitucional të thellohen edhe më tej.

Në përfundim, bashkëbiseduesit diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të mbështeten nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Banka Botërore.

Vazhdo të lexosh

Reklamë