Parlamenti zhvilloi mbledhjen e fundit para zgjedhjeve parlamentare dhe gjatë seancës ra në sy mungesa e liderëve të partive politike dhe pjesës më të madhe të deputetëve, të cilët janë fokusuar te fushata elektorale, duke treguar se debati në Kuvend nuk është më prioritet i klasës politike.
Megjithatë, përplasjet mes demokratëve dhe socialistëve në prag të betejës së 11 majit nuk munguan.
“Ju hoqët të rinjtë nga listat e futët Kujtim Gjuzin e Jenisherin, do e merrni përgjigjen në 11 maj”, tha ministri Taulant Balla.
“Shqiptarët do të votojnë numrin 1, Aleancën për Shqipërinë Madhështore. Nuk do të votojnë hajdutët”, tha deputeti demokrat Flamur Noka.
Në këtë seancë të fundit para zgjedhjeve, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, vlerësoi punën e të gjithë deputetëve, veçanërisht të atyre që nuk do të ulen më në Parlament në muajin shtator.
Vendimi për të mos mbledhur Parlamentin deri në zgjedhje është një vendim që u krijon hapësirë deputetëve të punojnë në zonat e tyre elektorale, por Kuvendi qëndron në detyrë deri në datën 9 shtator dhe pritet që seanca e radhës të jetë më 20 maj./vizionplus.tv