Perëndimi ka vendosur një tjetër raund sanksionesh ndaj Moskës, duke argumentuar se marrja e një qëndrimi të qartë kundër luftës së Putin, është thelbësor për të gjithë botën.

Presidentja e komisionit evropian, Ursula fon Der Lajen bëri të ditur se pakoja e pestë e masave do të shënjestrojë eksportet e naftës dhe qymyrit rus dhe do të ndalojë anijet ruse që të ankorohen në portet evropiane.

 

URSULA VON DER LEYEN

PRESIDENTE, KE

 

“Rusia po bën një luftë mizore, të pamëshirshme, edhe kundër popullsisë civile të Ukrainës. Ne duhet të mbajmë presionin maksimal në këtë pikë kritike. Kështu që ne propozojmë të shtrëngojmë edhe më tej sanksionet tona. Ato kufizojnë opsionet politike dhe ekonomike të Kremlinit, prekin Rusinë shumë më shumë se ne. Dhe nuk do të jenë sanksionet tona të fundit.”

 

Edhe Uashingtoni do të vendosë sanksione që synojnë institucionet financiare, ndërmarrjet në pronësi të shtetit, zyrtarët e qeverisë ruse dhe familjarëve të tyre, si dhe ndalojnë investimet e reja në Rusi.

 

JEN PSAKI

ZEDHENESE, SHTEPIA E BARDHE

 

“Qëllimi është që t’i detyrojmë ata të bëjnë një zgjedhje. Pjesa kryesore e objektivit tonë është që të shterojmë burimet që ka presidenti rus, Vladimir Putin për të vazhduar luftën e tij kundër Ukrainës”.

 

Ndërkaq, Britania e Madhe ka njoftuar se deri më tani ka ngrirë më shumë se 60 për qind të rezervave valutore të Rusisë në vlerë prej 604 miliardë dollarësh.

 

Këto veprime vijnë teksa akuzat për mizori të kryera nga forcat ruse vazhdojnë të shtohen.

 

Në Bucha janë gjetur edhe gjashtë trupa të djegur të vendosur mbi njëri-tjetrin. Sipas autoriteteve ukrainase, kjo dëshmon përpjekjen e trupave ruse për të fshehur provat.

 

Ndërkohë, luftimet e ashpra dhe sulmet ajrore ruse po vazhdojnë në qytetin e rrethuar të Mariupolit, në juglindje të Ukrainës. Situata humanitare në këtë qytet-port është përkeqësuar dhe rreth 160,000 banorë vazhdojnë të vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, energjisë elektrike apo ilaçeve.

 

Ministria britanike e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat ruse po parandalojnë qasjen humanitare për t’i bërë presion ushtrisë ukrainase që të dorëzohet.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *