Samiti i Berlinit/ Rama mbërrin në Mal të Zi, batuta e kryeministrit: Kam helikopterë mbi kokë sa herë vij

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Budva të Malit të Zi, ku po zhvillohet Samiti i Liderëve të Procesit të Berlinit.
Rama do të marrë pjesë në seancën plenare me temë “Një rajon në lëvizje: Ballkani Perëndimor duke formësuar të ardhmen e përbashkët të Evropës”.
Në prononcimin e tij pas mbërritjes, kryeministri u shpreh i kënaqur që ndodhej në Mal të Zi, ndërsa bëri edhe një koment me humor për masat e sigurisë gjatë vizitave të tij.
“Jam i lumtur që jam këtu. Është i vetmi vend ku ke gjithmonë helikopterë mbi kokë sa herë që vjen”, u shpreh Rama.
Më tej, kreu i qeverisë theksoi rëndësinë e Procesit të Berlinit, të cilin e cilësoi si një ritual të përvitshëm që bashkon liderët e rajonit dhe partnerët europianë.
“Më vjen mirë që jemi këtu për Procesin e Berlinit, një ritual i përvitshëm. Këtë vit po zhvillohet në këtë vend të jashtëzakonshëm. Jam i lumtur të vazhdoj me miqtë që janë në pritje”, deklaroi Rama.
Samiti në Mal të Zi mbledh liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian, me fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal, reformat dhe avancimin e vendeve të rajonit drejt integrimit europian.




