Samiti i Berlinit/ Liderët e Ballkanit Perëndimor mblidhen në Mal të Zi, i pranishëm edhe kryeministri Rama

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian mblidhen sot në Miloçer, pranë Budvës, në Mal të Zi, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Në takim marrin pjesë kryeministri shqiptar Edi Rama, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, si dhe përfaqësues të tjerë të vendeve të rajonit dhe institucioneve europiane, mes tyre komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani dhe ministri francez për Europën, Benjamin Haddad.
Në fokus të diskutimeve do të jenë perspektiva europiane e rajonit, forcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe reformat e nevojshme për avancimin e procesit të anëtarësimit në BE. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet edhe rrugëtimit të Malit të Zi drejt integrimit europian. Gjatë vizitës, Marta Kos pritet të zhvillojë takime me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryetarin e Kuvendit, Andrija Mandiç, ku do të diskutohen reformat institucionale dhe progresi i vendit drejt BE-së.
Sipas programit zyrtar, mbërritja e delegacioneve dhe deklaratat për mediat janë parashikuar nga ora 09:30 deri në 10:15, ndërsa seanca hapëse do të nisë në orën 10:20. Konferenca për shtyp është planifikuar për orën 13:00, e ndjekur nga fotografia e përbashkët e pjesëmarrësve në orën 13:30. Në samit marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të Bankës Botërore, Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të cilat mbështesin zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal.
/vizionplus.tv




