Pak minuta pasi ish-deputeti Ervin Salianji u lirua nga burgu, lideri i opozitës, Sali Berisha, shfrytëzoi një konferencë me gazetarët për ta cilësuar politik dënimin e tij. Sipas Berishës, Salianji e vuajti dënimin jashtë çdo ligji e parashikimi të Kushtetutës.
“Burgosja e Ervin Salianjit kishte si synim kryesor burgosjen e të vërtetës se Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Geron Xhafaj udhëhiqnin dhe përfitonin nga trafiqet nga Vlora drejt Italisë.”, tha Berisha.
Kryetari i PD, Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për situatën mjedisore të krijuar në Elbasan pas zjarrit që ra në fushën e mbetjeve. Sipas tij, edhe aksioni i fundit kundër ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit bëhet për të zhvendosur vëmendjen nga Elbasani.
“Edi Rama, për të mbuluar helmimin që u bëri qytetarëve të Elbasanit me një zjarr që qyteti nuk e kishte parë kurrë – gjashtëditor – që përbën krimin mjedisor më të rëndë në historinë e vendit, shkon e merret me kontejnerët e një krimineli, i cili sipas dosjes ‘Metamorfoza’ ishte angazhuar për të ekzekutuar kryeministrin e Kosovës. Do të merret me krimin mjedisor të disa kontejnerëve dhe jo me gjëmën që i bëri Elbasanit dhe Vlorës me djegien e fushave të plehrave si në Mesjetë.”
Berisha i doli në mbrojtje prokurores së Shkodrës, që nuk kishte nisur procedim penal për çështjen e ndërtimeve pa leje në Theth, duke sjellë në vëmendje se as policia nuk e kishte apeluar këtë vendim.
“Akti i atij ose i asaj prokuroreje ishte një akt dinjitoz i një zyrtari të shtetit, që i thoshte kreut të organizatës kriminale se nuk mund të dënohet kush, nuk mund të ndiqet kush pa fakt penal.”
Ndërkaq, sot kryetari i PD, Berisha, paraqiti prova në lidhje me votën e diasporës, të cilat sipas tij faktojnë se procesi i 11 majit ishte i manipuluar. Berisha paraqiti faturat e kompanisë DHL, duke pretenduar se mungojnë firmat e qytetarëve që kanë marrë fletën e votimit, edhe pse ky, sipas tij, ishte detyrim i vendosur në kontratë./vizionplus.tv





