Subscribe

Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji ka akuzuar kryeministrin Rama se ka ardhur në pushtet përmes bashkëpunimit me krimin.

 

Në një deklaratë për mediat, Salianji deklaroi se si pasojë e këtij bashkëpunimi qytetarëve shqiptarë po u rrezikohet lëvizja e lirë në vendet e BE.

 

Sipas Salianjit kjo gjë u tregua nga Parlamenti holandez I cili votoi propozimin për rikthimin e vizave për shqiptarët.

 

“Prej këtij treguesi të lartë të nivelit të kriminalitetit me mbështetje shtetërore në Shqipëri, Parlamenti Holandez votoi propozimin për rikthimin e vizave. Për shkak të projektit politik të Edi Ramës qytetarëve shqiptarë po ju rrezikohet lëvizja e lirë, për shkak të bashkëpunimit me krimin shqipëria ka 6 vite që nuk avancon por bën hapa pas në rrugën drejt BE. Gjendja reale e kriminalitetit, e krijuar për shkak të bashkëpunimit të krimit me qeverinë po jau nxin faqen shqiptarëve, të cilët nuk e meritojnë që për interesat kriminale të qeverisë, të shihen si delja e zezë në Evropë. Në Shqipëri mbretëron krimi i organizuar, vendi gëlon nga tritolet, zjarrvëniet, grabitjet e armatosura, droga sheshit, vrasjet mafioze dhe rrëmbimet pa autorë rriten, por Rama dhe qeveria e tij ndëshkon të pamundurit, dhunon protestuesit, flak nga banesat qytetarët dhe godet gra e fëmijë.”

 

Në vazhdën e akuzave, Salianji tha se qeveria burgos qytetarë të varfër dhe jo grupet e strukturuara kriminale.

 

“Politika e Ramës është kërbaç për qytetarët dhe lëpirje për krimin. Shifrat e tmerrshme të nxjerra nga gjykatat tregojnë se shteti i Ramës dënon brenda dy vitesh 2156 familjarë për pamundësine e pagesës së energjisë elektrike, 8 prej të cilëve në moshë të mitur, mijëra të tjerë për suvatime oborresh apo ndërtime stallash dhe nuk ka asnjë grup të strukturuar kriminal të dënuar. Ne do t’i japim fund shtetit personal të Ramës dhe bandave të tij, ne do të çmontojme grupet kriminale dhe do ta bëjmë Shqipërinë vendin e sundimit të ligjit, vend ku mbizotëron shteti ligjor, ku dënohen banditët e kriminelët dhe garantohen qytetarët, ne do ta rikthejmë në detyre policinë e marrë peng nga Rama dhe ushtarët e tij.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *