Rreth 111 milionë qytetarë rusë me të drejtë vote, zgjedhin sot presidentin e vendit. Qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura për 22 orë.

 

Votat e para janë hedhur në rajonet Kamçatka dhe Chukotka në orën 20:00 të ditës së shtunë, ndërsa në

 

Moskë, votimi filloi nëntë orë më vonë.

 

Në këto zgjedhje pritet që presidenti aktual Vladimir Putin të fitojë mandatin e katërt.

 

Ai gjendet përballë 7 kandidatëve të tjerë, por rivali i vetëm i madh i Putinit është lideri opozitar dhe aktivisti kundër korrupsionit Aleksei Navalny.

 

Ai nuk është lejuar të marrë pjesë në zgjedhje, pasi më parë ishte dënuar për abuzim duke u bërë iniciator i protestave mbarëpopullore.

 

Navalny u ka bërë thirrje rusëve që të bojkotojnë zgjedhjet.

 

Ndërkohë që 1/3 e votuesve kanë zgjedhur rrugën elektronike, janë raportuar edhe disa probleme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pësuar një sulm kibernetik i cili ka zgjatur për rreth 3 orë dhe origjina e tij është identifikuar nga 15 vende të ndryshme.

 

Sulmi synonte të prekte qendrën e informacionit.

 

Sipas Qendrës për Studime të Opinionit Publik, organizatë e afërt me Kremlinin, Putini sipas sondazheve, do të fitojë 69 për qind të mbështetjes së rusëve.

 

Sipas një sondazhi të bërë nga Gallup më 2017, 80 për qind e rusëve miratojnë udhëheqjen e Putinit, ndërkaq 40 për qind u besojnë zgjedhjeve në Rusi.

 

Për zgjedhjet presidenciale, Policia në Moskë ka njoftuar se ka angazhuar 17 mijë oficerë, trupa të Gardës Kombëtare dhe personel tjetër të sigurisë.

 

Në orën 18:00 do të mbyllen qendrat e votimit ndërsa nesër priten rezultatet e para zyrtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *