Gjatë vizitës së saj të parë në Moskë, ministrja e jashtme gjermane Analena Baerbock theksoi se Berlini kërkon marrëdhënie të qëndrueshme me Moskën të mbështetura në dialog konstruktiv.

 

Në një konferencë të përbashkët me homologun rus, Baerbock nënvizoi se duhet të respektohen rregullat e përbashkëta të rendit evropian të paqes dhe Gjermania do t’i mbrojë ato, edhe nëse kanë kosto të lartë ekonomike.

 

ANNALENA BAERBOCK

MINISTRE E JASHTME, GJERMANI

 “Nuk do të ketë siguri në shtëpinë tonë të përbashkët evropiane nëse nuk ka rregulla ku të gjithë mund të mbështeten. Dhe ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t’i ndjekim ato, edhe nëse ka një çmim të lartë ekonomik. Në rast se energjia përdoret si armë, kjo do të kishte pasoja në gazsjellësin “Rrjedha Veriore 2”. Rusia ka stacionuar trupat e ushtrisë në kufirin me Ukrainën pa asnjë arsye të kuptueshme. Si mund të përkthehet kjo ndryshe përveçse si një kërcënim ushtarak?”

 

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov konfirmoi gatishëmrinë për të bashkëpunuar me qeverinë e re gjermane ndërsa theksoi se Moska pret përgjigje mbi propozimet e sigurisë.

 

SERGEI LAVROV

MINISTER I JASHTEM I RUSISE

 “Ne po presim përgjigje mbi propozimet tona ashtu sikurëse na është premtuar. Bëhet fjalë për respektimin dhe ruajtjen e interesave të ndërsjella. Ne jemi të shqetësuar për kursin e NATO-s, aleanca duhet të heqë dorë sa i takon anëtarësimit të Ukrainës.”

 

Kancelari gjerman Olaf Scholz në takimin e sotëm në Berlin me shefin e NATO-s deklaroi se pushtimi rus i Ukrainës do të pasohej me ndalimin dhe sanksionimin e gazsjellësit. Sekeretari amerikan i shtetit, Antony Blinken do të vizitojë Kievin të enjten ndërsa forcat ruse kanë nisur stërvitje të reja ushtarake pranë kufirit me Ukrainën.

 

Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se Rusia ka nisur evakuimin e disa diplomatëve dhe familjeve të tyre nga ambasada në Kiev ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski është takuar me shefin e CIA-s mbi pushtimin e mundshëm rus.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *