Edhe pse presidenti rus deklaroi një ditë më parë se do të pezullonte traktatin me SHBA-në për reduktimin e armëve bërthamore, Ministria e Jashtme ruse tha se do të respektojë kufizimet për arsenalin nuklear, sipas traktatit dhe kjo nuk do të përbënte rrezik.

 

“Për të ruajtur një shkallë të mjaftueshme stabiliteti dhe parashikimi në sferën e raketave bërthamore, Rusia synon t’i përmbahet një qasjeje të përgjegjshme dhe do të vazhdojë të respektojë rreptësisht kufizimet sasiore të parashikuara nga traktati i ri START”, – thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme ruse.

 

Kremlini zyrtar po ashtu sqaron se Rusia do të vazhdojë të shkëmbejë informacione për provat me raketat balistike, sipas marrëveshjeve të mëparshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Në një fjalim të mbajtur përpara popullit rus, Putin deklaroi pezullimin e pjesëmarrjes në traktatin bërthamor “Start”, që parashikon kufizime të numrit të armëve bërthamore. Ai ngriti pretendime se inspektime të tilla nuk kanë kuptim, pasi SHBA dhe aleatët e saj kanë qëllim t’i shkaktojnë Rusisë disfatë ushtarake në Ukrainë.

 

Sipas traktatit, të nënshkruar në vitin 2010 dhe të vlefshëm deri në vitin 2026, Moska dhe Uashingtoni zotohen të mbajnë jo më shumë se 1,550 mbushje strategjike bërthamore të dislokuara dhe një maksimum prej 700 raketash me rreze të gjatë veprimi si dhe avionë bombardues strategjikë.

 

Ndërkohë sot, dhoma e ulët e parlamentit rus ka votuar pro pezullimit të pjesëmarrjes në traktatin e ri të armëve bërthamore START, me Shtetet e Bashkuara.

 

Vendimi i presidentit Putin u kritikua nga SHBA dhe NATO që nënvizuan se pezullimi shton rrezikun bërthamor në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *