Subscribe

Shtetet e Bashkuara, Britania, Shqipëria dhe Malta braktisën sallën e mbledhjes në Kombet e Bashkuara, kur mori fjalën përfaqësuesja e Rusisë, Maria Belova, e cila akuzohet për krime lufte në Ukrainë.

 

Britania dhe Shtetet e Bashkuara bllokuan gjithashtu transmetimin e takimit online të thirrur nga Rusia, ku do të flitej për evakuimin e fëmijëve nga zonat e konfliktit në Ukrainë.

 

Diplomatja e SHBA tha menjëherë pas largimit, se kjo është një mënyrë për të ndaluar përfaqësuesen ruse të mbroje veprimet që po ndodhin në Ukrainë.

 

LINDA THOMAS-GREENFIELD

 

AMBASADORE E SHBA NE OKB

 

Thjesht doja të shfrytëzoja rastin për të thënë, ndërsa Rusia merr presidencën e Këshillit të Sigurimit, ne do të përdorim çdo mundësi për të zbrapsur përpjekjet e tyre të përdorrin karriget për të përhapur dezinformata. Kjo është arsyeja që ne sot kemi kundërshtuar të dëgjojmë një grua që akuzohet për krime lufte, e cila është përfshirë në deportimin dhe largimin e fëmijëve nga shtëpitë e tyre. 

 

Maria Belova hodhi poshtë pretendimet e rrëmbimit, teksa tha se fëmijët ukrainas janë marrë për sigurinë e tyre. Belova shtoi se Rusia ka pranuar rreth 5 milionë ukrainas, duke përfshirë 700,000 fëmijë, që nga fillimi i luftës.

 

Muajin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale e Hagës lëshoi ​​një urdhër arresti kundër presidentit rus Vladimir Putin dhe Maria Belovas, duke i akuzuar ata për krime lufte e konkretisht për deportim të paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina dhe transferim të paligjshëm të tyre në Rusi.

 

Që prej publikimit të këtij urdhër arresti Moska ka refuzuar ta njohë, pasi ajo nuk është nënshkruese e traktatit që krijoi këtë gjykatë.

 

Nga ana tjetër, Rusia mban gjatë gjithë këtij muaji presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *