Pas më shumë se 4 orësh bisedime në Stamboll, delegacioni rus dhe ai ukrainas përmbyllën takimin, duke u dakordësuar në disa pika kryesore. Moska ka pranuar të ulë në mënyrë drastike aktivitetin ushtarak në kryeqytetin Kiev dhe qytetin verior të Chernihiv. Zëvendësministri rus i Mbrojtjes, Alexander Fomin nënvizoi se ky është një hap para drejt marrëveshjes përfundimtare.

 

ALEXANDER FOMIN

ZV/MINISTER I MBROJTJES, RUSI

“Vendimi për të ulur rrënjësisht aktivitetin ushtarak të Rusisë në dy qytete u mor me qëllim që të rrisë besimin e ndërsjellë dhe të ndihmojë për të çuar në negociata të mëtejshme dhe arritjen e ‘qëllimit përfundimtar’ të një marrëveshjeje të nënshkruar midis dy palëve.”

 

Ukraina ka propozuar që të miratojë një status neutral në këmbim të garancive të sigurisë. Kjo nënkupton se Kievi nuk do t’i bashkohet NATO-s, si dhe nuk do të lejojë baza ushtarake nga vendet e huaja. Por, në rast agresioni nga Rusia vendet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së  si dhe Turqia, Gjermania dhe Izraeli do të duhet të reagojnë duke ofruar armatim dhe mbyllje të hapësirës ajrore.

 

Propozimet, po ashtu përfshijnë një periudhë 15-vjeçare të konsultimeve për statusin e Gadishullit të aneksuar të Krimesë.

 

Çështja e Donbasit pritet të zgjidhet në takimin e nivelit të lartë, mes presidentëve të Ukrainës dhe Rusisë.

 

 

OLEKSANDER CHALY

NEGOCIATOR UKRAINAS

“Nëse ne arrijmë të konsolidojmë këto provizione kyçe, dhe për ne kjo është më e rëndësishmja, atëherë Ukraina do të jetë në pozitë që të rregullojë statusin aktual si një shtet që nuk është pjesë e bllokut dhe pa armë bërthamore, në formë të një neutraliteti të përhershëm. Ne nuk do të lejojmë hapjen e bazave të huaja ushtarake në vendin tonë e as vendosjen e kontingjenteve ushtarake dhe nuk do të bëhemi pjesë e aleancave ushtarake-politike. Stërvitjet ushtarake në territorin tonë do të mbahen me pëlqimin e shteteve garantuese”.

 

 

Megjithatë, Kievi zyrtar kërkon të mbajë edhe një referendum ku qytetarët të shprehen pro ose kundër statusit neutral.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *