Autoritetet ruse kanë thirrur për të marrë në pyetje tetë politikanë të opozitës, pasi burgosën për 30 ditë kundërshtarin kryesor të Kremlinit, Alexei Navalny. Opozita ka protestuar për skualifikimin e disa kandidatëve të pavarur që synonin të kandidonin për këshillin bashkiak të Moskës në zgjedhjet e 8 shtatorit, duke sfiduar kështu kontrollin e partisë në pushtet në këtë organ legjislativ lokal. Siç njofton Zlatica Hoke e Zërit të Amerikës, zgjedhjet në Moskë mund të influencojnë politikat mbarëkombëtare prandaj Kremlini mban kontroll të rreptë mbi procesin.

Opozita organizoi një tubim të madh në Moskë më 20 korrik dhe pritet të mbajë një tjetër ditën e shtunë, për të protestuar kundër heqjes së rreth 30 kandidatëve të pavarur nga fletët e votimit. Zyrtarët zgjedhorë thanë se kandidatët e refuzuar nuk kanë sjellë firmat e mjaftueshme nga votuesit për t’u kualifikuar. Sidoqoftë, në listën e kandidatëve të kualifikuar mungojnë qartazi kritikët e Kremlinit.

“Jemi të zemëruar për paligjshmërinë. Qeveria po ndalon kandidatët e pavarur. Është e pamundur që për të 30 të pavarurit të kishte probleme me firmat e mbledhura”, thotë studenti Alexander Polovinkin.

Udhëheqësi kryesor i opozitës ruse, Alexei Navalny, u arrestua të mërkurën, me sa duket për të pebguar tubimin e ardhshëm. Arrestimi i tij u pasua nga një sërë bastisjesh gjatë natës në shtëpitë e kandidatëve të opozitës. Bastisjet u bënë pas tubimeve të fundit përpara zyrave të komisionit zgjedhor dhe kërcënimeve të supozuara të bëra ndaj zyrtarëve zgjedhorë.

Tetë kandidatë u thirrën për t’u marrë në pyetje të enjten.

“Është një përpjekje për të na trembur. Kërkojnë të kufizojnë të drejtat tona zgjedhore duke na sakatuar. Nuk do ta tolerojmë këtë gjë!”, thotë Ilya Yashin, kandidat i opozitës.

Presidentja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ella Pamfilova, u tha kandidatëve të refuzuar se protestat në rrugë nuk do të sjellin ndonjë ndryshim.

“Mund të duket e padrejtë, por sipas ligjit të ri, nuk mund të regjistrohet kushdo”, thotë zonja Pamfilova.

Njëra prej kandidatëve të skualifikuar, juristja anti-korrupsion Lyubov Sobol, reagoi duke thënë se protestat janë e vetmja zgjidhje që i ka mbetur opozitës.

“Ishim të gatshëm të luftonim përmes programeve tona politike dhe ideve tona, përmes një procesi të ligjshëm. Por, nuk na lejuan. As emrat tanë nuk gjenden në fletët e votimit. U veprua në mënyrë aq të keqe, saqë tani banorët e Moskës nuk kanë zgjidhje tjetër përveçse të luftojnë për të drejtat e tyre në rrugë”, thotë zonja Sobol, kandidate e opozitës.

Grupet e të drejtave të njeriut e përkufizuan “jotransparent” procesin e verifikimit të mbledhjes së firmave dhe u bënë thirrje autoriteteve zgjedhore të lejojnë regjistrimin e të gjithë kandidatëve që patën mbledhur numrin e kërkuar të firmave për të marrë pjesë në zgjedhje. Në të kundërt, thonë ato, qeveria ruse rrezikon të izolohet nga populli./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *