Kryetari  i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në krye të një delegacioni  parlamentar, ndodhet këto ditë për një vizitë zyrtare ne Katar.

 

Në delegacion bëjnë pjesë kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtar i grupit të miqësisë me Katarin, Taulant Balla, dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.

 

Më 5 prill, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi dhe delegacioni shqiptar u takuan me Kryetarin e  Parlamentit të Katarit, Ahmad bin Ambudulla bin Zaid al-Mahmoud.

 

Kryetari Ruçi vuri në dukje se marrëdhëniet dypalëshe me Katarin janë aktualisht shumë të mira. Për fuqizimin e tyre, Kryetari i Kuvendit sugjeroi zgjerimin e bashkëpunimit parlamentar, nëpërmjet rritjes së kontakteve të grupeve të miqësisë dhe bashkëpunimit midis komisioneve parlamentare.

 

Ruçi nënvizoi gjithashtu se marrëveshjet e nënshkruara midis të dy vendeve duhet të fillojnë të zbatohen, në mënyrë që qytetarët dhe sipërmarrjet të përfitojnë prej tyre.

 

“Me interes për Shqipërinë do të ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe shtimi  i investimeve nga Katari në projektet strategjike për vendin. Midis tyre, dëshiroj te nenvizoj aktivizimin e marrëveshjeve ekonomike e tregëtare të nënshkruara dhe përshpejtimin e atyre që janë në proçes, përshpejtimin e veprimeve të qeverise së Katarit për lehtësimin dhe heqjen e vizave për shqiptarët, bashkëpunimin në fushën e transporit ajror dhe  hyrjen e Qatar Airways për fluturime direkte Doha-Tiranë. etj”, vuri në dukje Kryetari i Kuvendit.

 

 

Kryetari i  Parlamentit të Katarit, Ahmad bin Ambudulla bin Zaid al-Mahmoud vuri në dukje se Shteti i Katarit është mjaft i interesuar dhe i vendosur të zgjerojë dhe forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë.

 

“Unë do të nxis qeverinë  dhe kompanitë katareze të shqyrtojnë me kujdes propozimet e palës shqiptare dhe tu përgjigjen atyre me nisma konkrete bashkëpunimi”, nënvizoi kryeparlamentari al-Mahmoud.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *