Një flotë e re me mjete karroatrec është vendosur në dispozicion të Policisë Rrugore, ku në fokus do të jenë parkimet dysh.
Tashmë të gjithë drejtuesit e mjeteve që parkojnë gabim duke rënduar qarkullimin e lirë të rrugës, do të përballen me gjobë, por edhe të largimit të mjetit me karroatrec.
“Policia rrugore do ti ketë këto në dispozicion për të bërë të mundur spastrimin e të gjithë atyre mjeteve që qëndrojnë, parkojnë dysh në vende të gabuara. Për këtë qëllim çdo drejtues mjeti krahas masës administrative që do të marrin për shkeljen e kryer do të kenë dhe një gjobë tjetër për shërbimet që bëhen me karroatrec”, tha Ali Yzeiri nga Policia Rrugore.
Vetëm për 3 ditë, rreth 100 makina janë tërhequr me karroatrec. Aksioni do të shtrihet jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë vendin.
“Gjatë tre ditëve të fundit policia rrugore e Tiranës ka tërhequr me karroatrec rreth 100 mjete që kanë parkuar dysh, apo në vende që sjellin kaos në trafik. Ky aksion do të vazhdojë jo vetëm në Tiranë, por do të shtrihet në të gjitha qytetet dhe do të jetë i përditshëm në mënyrë të tillë që të gjithë qytetarët dhe përdoruesit e rrugës të kenë lëvishmëri sa më të mirë dhe të mbërrijnë në oraret dhe destinacionet e kërkuara”, u shpreh Yzeiri.
Ndërkohë rrugorja ka vijuar kontrollet për ndëshkimin e shoferëve që shkelin rregullat e qarkullimit. Vetën për janarin janë vendosur më shumë se 93 mijë gjoba.
“Gjatë muajit janar të këtij viti janë vendosur rreth 93 mijë masa administrative të cilat kryesisht kanë të bëjnë me shkeljet për parakalime të gabuara, shpejtësi, përdorim i celularit. Nga policia rrugore në të gjitha oraret e mundshme, pra edhe gjatë natës ka shërbime, ku janë kapur drejtues mjetesh nën efektin e alkoolit”, shtoi Yzeiri.
Sa i takon parkimeve dysh, qytetarët të cilët do të parkojnë në vende ku bllokohet korsia e emergjencës, do të ndiqen penalisht dhe jo vetëm me gjobë.
/vizionplus.tv





