Pasi mori fjalën në Kongresin e Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama nuk i kurseu batutat me në qendër bashkëshorten e tij, Linda Rama, për të cilën tha se është opozita e tij më e fortë.

 

Gjatë fjalës së kreut të qeverisë, nuk munguan vlerësimet që bëri ndaj bashkëshortes së tij dhe shtoi se ishte vajza që e ëma e tij, Aneta Rama, nuk e pati kurrë. Ndërkohë, i konsideroi kundërshtarët e tij politikë të dobët.

 

“E dëgjuat zërin e opozitës time më të fortë. Mua më takon ta falënderoj Lindën sepse sidoqoftë ishte shumë më e moderuar këtu se mbrëmë në shtëpi ku zhvillohet debati i parlamentit tonë familjaro-katunar. Rrofsh moj grua që më kurseve në sy të gjithë këtyre shoqeve dhe jam shumë i qartë që sonte kusurin do e marr në Surrel në pasion për gjithçka që nuk u tha këtu. Ju qeshni, qeshni, qeshni. Qeshni po e vërteta është po të mos e kisha në shtëpi çdo natë me atë opozitë që kemi në rrugë ne do më dukej vetja më i madhi prej të kretjve në botë.”

 

Kryeministri përmendi edhe të birin, Zaho, të cilin e krahasoi me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi që nuk ndërhyn në debatet e brendshme.

 

“Shyqyr Zahon e kam si Gramozi se nuk ndërhyn në debatet e brendshme të Parlamentit tonë, se kur vijnë ato dy të mëdhenjtë them me vete “ku je o Lul” se vetëm ti ma bën jetën të lehtë. Përtej shakasë që është e vërtetë dua ta falënderoj Lindën jo thjeshtë që më ndihmon të rri me këmbë në tokë, por për faktin se është themeli i patundshëm i shtëpisë sonë. Kemi një shtëpi që falë Lindës është antisizmike dhe përballon edhe tërmetet e mia me shumë qëndrueshmëri dhe falë saj fëmijëve nuk i mungon mbështetja morale, shpirtërore që unë e kam të pamundur t’ua jap sa duhet dhe si duhet. Falë Lindës nuk do jem kurrë vetëm.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *