Rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Itali. Këtë të dielë raportohet për 132 persona të prekur nga sëmundja. Autoritetet bëjnë me dije se 26 prej tyre janë nën kujdesin intensiv të mjekëve për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

 

Koronavirusi ka shënuar 2 viktima deri më tani në vendin fqinj.

 

Një person ka humbur jetën në Veneto dhe një tjetër në Lombardi, ndërsa po vijon testimi i njerëzve të afërm dhe atyre që kanë pasur kontakt me viktimat që kanë ndërruar jetë në vendin fqinj.

 

Qeveria italiane ka miratuar një draft me masa specifike për përballimin e emergjencës dhe parandalimin e virusit.

 

Ato parashikojnë ndalimin e largimit te qytetarëve nga zonat dhe komunat e infektuara si dhe mbajtjen e manifestimeve publike.

 

Po ashtu është ndërprerë përkohësisht mësimi. Shkollat, muzetë dhe proceset gjyqësore janë pezulluar. Ndërsa të gjithë personat e infektuar do të vendosen në karantinë. Autoritetet kanë urdhëruar edhe pezullimin e punës në disa sektore, si dhe marrjen e masave të sigurisë për parandalimin e përhapjes së virusit jashtë Italisë.

 

Kryeministri i vendit Giuseppe Conte tha për mediat se masat e marra janë në funksion të mbrojtjes së qytetarëve.

 

GIUSEPPE CONTE

KRYEMINISTER I ITALISE
“E gjithë kjo bëhet për të mbrojtur shëndetin e italianëve që është gjëja për të cilën ne interesohemi më shumë. Italianët duhet të besojnë tek politika dhe institucionet të cilat po bëjnë gjithçka që është e mundur për parandalimin e kësaj epidemie.”

 

Janë 10 komuna në vendin fqinj që aktualisht janë nën bllokim. Kryeministri Conte nuk përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes së ushtrisë për vendosjen e sanksioneve penale në rast se do të jetë e nevojshme.

 

Në ditët në vijim, qeveria italiane pritet të miratojë edhe një dekret të dytë me masa që do të parandalojë dëmin në ekonomi.

 

Por përhapja e shpejtë e virusit në vendin fqinj ka rritur frikën edhë në Shqipëri.

 

Mediat italiane raportojnë se qindra emigrantë shqiptarë po mendojnë për t’u kthyer në vendin e origjinës.

 

Edhe Franca është në alarm dhe ka rritur vëmendjen ndaj situatës tejet serioze që virusi “Kovid-19” ka shkaktuar në Itali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *