Shtatë persona kanë humbur jetën nga koronavirusi në Itali, ndërsa numri i të infektuarve ka shkuar në 230. Zona më e prekur është Lombardia me 172 të infektuar.

 

Viktima e fundit është një 80-vjeçar, i cili një javë më parë ishte shtruar në spital pas një ataku kardiak.

 

Shefi i mbrojtjes civile, Anxhelo Borreli konfirmoi se të gjitha viktimat janë të moshës nga 68 deri në 88 vjeç dhe vuanin nga sëmundje të tjera të rënda, si tumor, sëmundje të mushkërive etj.

 

“Dua t’ju bëj të ditur se numri i personave të konfirmuar me koronavirus ka arritur në 229 pasi fatmirësisht njëri prej tyre është shëruar. Ndërkohë zonat ku janë shfaqur rastet janë Lombardia më e prekura, Veneto, Emilia Romanja, Piemonte dhe Lacio. Nuk është koha të përhapim panik pasi të gjitha strukturat shëndetësore janë në gatishmëri dhe po i përgjigjen situatës sipas kompetencave. Edhe në porte dhe në të gjitha pikat kufitare, kontrollet janë intensive”, tha Angelo Borreli.

 

Ndërkohë, në disa qytete shkollat janë mbyllur, metroja dhe trenat janë boshatisur, gjithashtu janë shtuar kontrollet nëpër rrugë, ndërsa në aeroporte është e pranishme edhe ushtria.

 

Shumë qytetarë i janë drejtuar supermarketeve për të blerë ushqime në rast emergjence duke i lënë raftet thuajse të zbrazura. Në Lion ndërkohë është bllokuar një autobus nga Italia ndërsa në Mauricius është ndaluar zbarkimi i italianëve që udhëtojnë nga zonat e prekura, ndërsa gjithnjë e më shumë po diskutohet  për pezullimin e Shengenit. Austria, një ditë më parë bllokoi kufijtë me Italinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *