Numri i maturantëve që kërkojnë të regjistrohen në universitetet e vendit është rritur këtë vit akademik. Pas mbylljes së raundit të parë të aplikimeve, kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar pohon se interesi i të rinjve është rritur ndjeshëm, krahasuar me vitet e fundit.
“Ka qenë një nga proceset më të mira, së paku nga numrat, sepse krahasuar me vitet e kaluara kemi një rritje. Kemi pasur vitet e kaluara një numër stabil, kemi lëvizur poshtë 20.000. Sivjet jemi në 20.200 maturantë që kanë bërë aplikimin në portal.”, tha drejtori i RASH, Arjan Xhelaj.
Për sa i përket universiteteve, maturantët vijojnë të preferojnë më shumë ato publike. Në fazën e aplikimeve, 76% e të rinjve synojnë universitetet publike, ndërsa 23 deri në 24% zgjedhin privatet. Megjithatë, kjo përqindje pritet të ndryshojë në fazën pasardhëse të regjistrimeve.
Degët më të kërkuara këtë vit janë Informatika dhe Inxhinieria, të cilat kryesojnë bindshëm listën e preferencave, të ndjekura nga Mjekësia dhe Ekonomia.
“Shumica e preferencave kanë ecur në drejtim të fushave informatike dhe inxhinierike, të cilat të dyja së bashku përbëjnë mbi 30% të preferencave, të ndjekura nga Mjekësia dhe të gjitha degët që kanë të bëjnë me shëndetin, që përbëjnë diku te 17%, bashkë me Infermierinë diku te 7%. Të dyja bashkë lëvizin diku te 25%.”
Një trend pozitiv këtë vit po regjistrojnë edhe degët drejt profesionit të mësuesisë dhe programet 2-vjeçare, të cilat konsideroheshin në rrezik.
“Programet që çojnë në mësuesi lëvizin diku ndërmjet 7-8%, që është një ecuri e mirë për ato programe që quhen të rrezikuara. Ka një tendencë të mirë për programet 2-vjeçare, jemi sërish mbi 10%. Aplikimet në programet 2-vjeçare vijojnë edhe gjatë raundit të dytë. Është një ecuri e mirë.”
Faza e radhës është ajo e publikimit të renditjeve, e ndjekur nga procesi i regjistrimit.
“Në portalin U-Albania do të jetë data 26 dita e publikimit të renditjes në të gjithë universitetet, në portalin U-Albania, te këndi i maturantit. Ditën e nesërme mund të ankimojnë pranë fakultetit dhe nëse merret në konsideratë, universitetet ngarkojnë listën. Më datë 29 hapet portali me 7 fazat 48-orëshe, ku fillon lëvizja e vijës së kuqe që në momentin që maturantët regjistrohen, lirojnë vendet për fituesit që janë në pritje.”
Ndërkohë, për degët me provime pranimi, që prej kësaj të marte, ka nisur procesi i shkarkimit të listave me aplikantë nga universitetet. Nga dita e enjte, maturantët do të mund të shohin publikisht emrat e tyre në listat e publikuara në faqet zyrtare të universiteteve përkatëse, për të mësuar datat kur duhet të paraqiten në provim.
/vizionplus.tv





