Ekonomia, sipas Bankës së Shqipërisë po performon mirë dhe për këtë arsye, norma bazë e interesit për lekun u mbajt e pandryshuar në nivelin e 2.75%.
Por Guvernatori Gent Sejko tërhoqi vëmendjen për rrezikun që mund t’i kanoset ekonomisë nga tarifat tregtare që po aplikon SHBA me vendet e tjera.
“Balanca e rreziqeve për të ardhmen paraqitet neutrale për momentin. Megjithatë, pasiguritë rreth parashikimeve ekonomike janë rritur, kryesisht për shkak të zhvillimeve në ambientin e huaj. Vazhdimi i tensioneve gjeopolitike dhe pasiguria në lidhje me politikat tregtare dhe ekonomike, mund të ketë implikime të rëndësishme për ekonominë globale në përgjithësi dhe atë evropiane në veçanti”, tha Sejko.
Nga ana tjetër, Banka Qendrore vendosi të ulë më tej normën e interesit për kreditë konsumatore deri në 200 mijë lekë që jepen qoftë nga bankat, qoftë nga institucionet mikrofinanciare, duke mbrojtur kështu huamarrësit.
“Janë rritur kriteret që duhet të plotësojnë huamarrësit, do të bëhet më i vështirë kreditimi për kredinë konsumatore, por edhe më i sigurt. Ndryshimet rregullative të sotme kanë të bëjnë me një ulje të mëtejshme të normës së interesit për kreditë konsumatore të dhëna nga institucionet bankare dhe jobankare dghe ër një kufizim në komisionet e aplikuara”, u shpreh Sejko.
Në mbledhjen e sotme, Banka e Shqipërisë bëri gjithashtu ndryshime të reja për të rritur transparencën ndaj konsumatorëve në rastet kur institucionet financiare reklamojnë produkte apo shërbime.





