Më 10 Janar të këtij viti Partia Republikane shënoi plot 30 vite që nga krijimi i saj. Në ceremoninë e mbajtur, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu vlerësoi historikun dhe rolin e Partisë Republikane në këto 30 vite pluralizëm si dhe theksoi se: Historia e së djathtës është histori njerëzish që e kanë krijuar atë.

 

I ftuar në Spotlight nga Alban Dudushi, në Vizion Plus, Mediu rrëfeu dy prej emrave të cilët në historinë politike, meritojnë vlerësimin e tij. Kreu i PR-së zgjodhi të veçonte Sabri Godon, themeluesin e Partisë Republikane Shqiptare, si mësuesin e tij në politikë, e më tej ish-kryeministrin Berisha për lidershipin.

 

Fatmir Mediu: Në historinë time politike ata që vlerësoj pamasë, i pari është Sabri Godo, i cili ka qenë mësuesi im në politikë dhe shpresoj ta kem justifikuar sadopak, dhe në qoftë se ka ndonjë gjë që s’ka shkuar edhe pse nuk jeton sot unë i kërkoj ndjesë.

Padyshim lidershipin e z.Berisha si kryeministër që ofroi një partneritet të jashtëzakonshëm që Partia Republikane të ishte bashkëpunëtore, kontributore, sidomos në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një moment historik i Shqipërisë

Alban Dudushi: Ju mungojnë këta dy njerëz në këtë moment?

Fatmir Mediu: Sabri Godo më mungon shumë dhe herë pas here përpiqem të kujtoj ndonjë fjalë të mençur të Sabri Godos, për shembull ai thoshte ‘nuk lidhet pylli me një litar’, ‘berberi i ri e mëson dorën në kokën e fukarait’. Kishte disa shprehje të cilat unë përpiqem t’i vendos ndonjëherë vend e pa vend.

Berisha, absolutisht, unë vazhdoj të kem një raport jo vetëm respekti absolut, karshi atij si lider politik, por sidomos kemi ndërtuar një raport njerëzor edhe familjar që domenthënë vlen shumë për të qenë i drejtë me veten dhe nuk kam parë ndonjëherë te Berisha që të sillet si lideri me vartësin, por gjithmonë në një partneritet i cili ka arritur sidomos nga viti 2001 deri në vitin 2005 të bënte disa lëvizje të cilat janë një mësim, udhëzues shumë i mirë se si opozita duhet të funksionojë dhe duhet të bashkohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *