Teksa mijëra fermerë pritet të aplikojnë për të përfituar nga skemat mbështetëse në bujqësi, Agim Rrapaj kryetar i këshillit të agrobiznesit, i ftuar në emisionin “E-ZONE” në Vizon Plus tha se mijëra të tjerë mbeten jashtë skemës.
Sipas tij shumë fermerë që janë informalë dhe mbahen me remitanca, nuk plotësojnë kriteret për të përfituar, por qeveria duhet të gjejë një mekanizëm për përfshirjen e tyre në skemë.
“Kemi një grupim fermerësh që nuk janë të formalizuar, nuk kanë NIPT. Kanë asete, kanë toka, stalla etj. Ky grupim është mbajtur me remitanca. Një pjesë e fermave të tyre janë bosh apo të papunuara, pasi ska njerëz kush t’i punojë, për shkak të emigrimit. Ata kanë mundësi që të grupohen dhe të kapin nivelet e caktuara për të përfituar nga skemat. Por ata duhen stimuluar që të plotësojnë këto kritere”, – tha Rrapaj.
Sipas Rrapajt në vendin tonë thuajse gjysma e sipërfaqes së tokës punohet, pjesa tjetër është një aset rezervë që po të vihet në funksion të sektorit, ku do të sjellë një panoramë edhe më pozitive.
“Nga 350 mijë ferma të regjistruara dikur, 72% e tyre nuk përfitojnë asnjë lekë nga mbështetja buxhetore. Janë ferma të cilat mbahen vetëm me remitanca. Kjo është një shifër dhe rezervë e konsiderueshme. Të dhënat flasin se nga 660 mijë ha tokë, maksimumi që ne kultivojmë arrin në 350 mijë”, – tha Rrapaj.

Prej disa vitesh kontributi i bujqësisë në ekonomi ka ardhur në rënie. Një vit më parë ky kontribut zbriti 15% të prodhimit të brendshëm bruto, ndërsa në 2023 ishte në 16%.





