Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me atentatin e ndodhur një ditë më parë në Elbasan, ku u ekzekutua me armë zjarri 39-vjeçari, Emiljano Ramazani.
Nga hetimet rzulton se ai ishte mbajtur nën vëzhgim nga autorët, pasi u qëllua pak minuta mbasi kishte dalë nga palestra dhe po parkonte makinën e tij “Ford fokus” poshtë shtëpisë. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë grupi hetimor ka arritur të fiksojë dhe momentin e vrasjes.
Burime zyrtare i kanë thënë “Vizion Plus”, se në mjetin tip “Volksëagen” që u përdor nga ekzekutorët, ndodheshin dy persona. Njëri prej tyre, i moshës rreth 25-30 vjeç ka zbritur gjatë momentit që Emiljano Ramazani po parkonte mjetin, dhe ka qëlluar me pistoletë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Atentatori ka qenë i veshur me bluzë të zezë, tuta blu me vija të bardha, ndërsa mbante një kapele si dhe një maskë anticovid. Ai ka qëlluar tre herë, nga ku të dy prej plumbave përfunduan në trupin e 39-vjeçarit, ndërsa tjetri në kokë. Dy autorët janë larguar me shpejtësi drejt fshatit Papër ku dhe kanë djegur makinën.
Sipas policisë, dyshohet se autorët kanë qenë vrasës me pagesë ndërsa pista kryesore është ajo e larjes së hesapeve mes grupeve të trafikimit të lëndëve narkotike. Por jashtë vëmendjes së policisë nuk është lënë edhe dhënia e fajdeve, pasi kohët e fundit viktima jepte lek borxh për persona të veçantë.
Emiljano Ramazani, i njohur ndryshe dhe me nofkën “Rramani” u ekzekutua pranë rrethrotullimit të luleve pasditen e të hënës. Ai ka qenë me precedentë penale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike. Në vitin 2017 u arrestua nga policia për një sasi të konsiderueshme kokaine.





