Kandidatja për postin e kreut të PD, Edith Harxhi e konsideron të pabarabartë garën brenda Partisë Demokratike.

 

Në një lidhje me edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, ajo tha se PD ka nevojë për një rivlerësim ideologjik të saj, ndërsa dha një koment edhe për kandidaturat e rivalëve të saj në këtë garë.

 

“Mendoj që është shumë mirë që garojnë shumë kandidatë, tregon interes të madh. Është treguesi më i mirë i asaj që po ndodh në PD. Megjithatë duhet të keni parasysh diçka: kjo garë është e pabarabartë, sepse komisioni është vendosur nga Basha, data e zgjedhjeve është afruar në 13 qershor dhe ka 2 javë kohë që të bëjmë fushatë. Nuk do të jetë e denjë si fushatë. Kemi kërkuar shtyrje, por nuk na u mor parasysh…Unë nuk i kam pranuar kushtet e garës, unë vazhdoj të kërkoj kushte gare, ende nuk jam kandidate zyrtare. Kjo është një sfidë që unë marrë, pavarësisht kushteve.”

 

Më tej, Harxhi tregoi se si do t’i arrijë premtimet për një reformim të thellë të opozitës.

 

“PD ka nevojë për një rivlerësim ideologjik të saj, sepse ka kaluar shumë në qendër. PD duhet të kalojë në shinat e djathta të idealeve të 1990. PD nuk është partia e 90 sot. PD duhet të mbetet parti antikomuniste, por me një vizion të ri për të ardhmen.  E dyta, duhet të kalojë në shinat organizative. Në PD nuk ka zgjedhje, por emërime. Kryesia është emërtesë e kryetarit. Ka nevojë për një shkundje në themele dhe në aspektin strukturor në të njëjtën kohë. Shtylla e tretë, statuti i PD-së, i cili ka nevojë të rishikohet i gjithi, së bashku me meritokracinë. Programi ka hapjen e PD nga të gjithë kontributet e saj dhe bashkimin në një front të vetëm opozitar për të dërrmuar Edi Ramën sepse Rama mund të dërrmohet në këtë mënyrë.”

 

Sa i përket shpalljes “non grata” të Berishës nga SHBA, Harxhi vlerësoi qëndrimin e ish-kryeministrit për ta kthyer në një çështje personale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *