Rituali i Dollisë, një nga traditat më të hershme e të rrënjosura në kulturën shqiptare, është njohur zyrtarisht si Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë sonë Kulturore.
Vendimi u mor gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, duke i dhënë kështu një status të veçantë këtij zakoni të lashtë që mishëron mikpritjen dhe respektin ndaj tjetrit.
Dollia është më shumë se një zakon i thjeshtë familjar. Ajo përfaqëson një ritual të mirëfilltë social që lidh njerëzit në gëzime e ngjarje të rëndësishme. Në thelb, ky rit është një shprehje e ndjenjës së nderimit dhe vëmendjes ndaj mikut, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe të hapur.
Në sofrën shqiptare, ky zakon është ndërtuar mbi një strukturë të qartë, ku roli i dollibashit si drejtues i ceremonisë dhe i pritësit të dollisë mishërojnë respektin e ndërsjellë. Përmes urimeve dhe fjalëve të ngrohta, kjo marrëdhënie pasqyron kodin moral të një shoqërie që vlerëson bashkimin dhe nderimin ndaj të tjerëve.
I trashëguar brez pas brezi, rituali i Dollisë mbetet një ndër elementët më domethënës të identitetit tonë kulturor, duke ruajtur Frymën e mikpritjes shqiptare në çdo cep të trojeve tona./vizionplus.tv





