Rinumërimi i votave në Tiranë dhe Fier, Celibashi: Do të nisë javën e ardhshme, do ringrihen 25 grupe të përbërë nga stafi i KQZ
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi në një dalje për mediat ka dhënë detaje për procesin e rinumërimit të votave për qarkun e Fierit dhe Tiranës.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), urdhëroi rinumërimin e votave për subjektet dhe kandidatët në qarqet Tiranë dhe Fier.
Celibashi sqaroi se rinumërimi do të kryhet tërësisht nga stafi teknik i KQZ, pa asnjë përfshirje të partive politike, ndërsa nënvizoi se ky vendim vjen pas pretendimeve të depozituara nga subjektet zgjedhore.
Procesi, që pritet të zgjasë 18 deri në 20 ditë dhe përfshin rreth 610 mijë vota, do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, duke nisur javën e ardhshme
Celibashi bëri me dije se do të ringrihen 25 grupe numërimi, të përbërë nga stafi i KQZ.
Ilirjan Celibashi: Në lidhje me vendimmarrjen e fundit të KAS për, sipas të cilave është urdhëruar rinumërimi i votave për subjektet dhe kandidatët për qarkun Tiranë dhe Fier. Në lidhje me organizimin e këtij procesi, do të realizohet nga stafi i KQZ. Partitë politike nuk kanë asnjë lloj angazhimi në këtë proces.
KAS ka ardhur në këtë vendimmarrje me kërkesë të dy anëtarëve të këtij organi pasi janë vlerësuar pretendimet e subjekteve zgjedhore dhe të kandidateve për deputetë. E them këtë për të evidentuar faktin se sistemi i administrimit dhe mbikëqyrjes ka funksionuar ashtu sikur se do duhet të funksiononte.
Ngelet për tu parë se sa qëndrojnë këto pretendime pas rivlerësimit të këtij procesi, i cili është i gjithi kompetencë e KAS. KQZ do të realizojë nga pikëpamja teknike këtë proces. Bëhet fjalë për rinumërimin e rreth 610 301 vota për 2 qarqet.
Procesi do fillojë të hënën ose ndoshta të martën e javës që vjen. Është dashur pak më shumë se një javë për të përgatitur këtë proces. Procesi do të zhvillohet se ambientet e pallatit të sporti Farie Hoti. Kemi dashur ta zhvillojë te Parku Olimpik, por për shkak të kampionatit të volejbollit nuk mund të zhvillohet atje.
Do ngrihen rreth 25 grupe numërimi të përbërë nga stafi i KQZ. Procesi do marri 18 deri në 20 ditë për të përfunduar./vizionplus.tv




