Një shpërthim i fuqishëm ndodhi në fshatin Varagë të Zubin Potokut dhe për pasojë ka dëmtuar kanalin e ujit të Ibër-Lepencit mbrëmjen e 30 nëntorit. Si pasojë e shpërthimit, është rrezikuar furnizimi me ujë dhe rrymë në vend.
Kryeministri Kurti mbrëmjen që ndodhi sulmi u shpreh se të gjitha të dhënat tregojnë se fqinjni verior qëndron pas shpërthimit. Sipas Kurtit të tre sulmet e fundit të komunën e Zubin-Potokut nga ana e strukturave serbe kanë për qëllim nxitjen e frikës dhe pasigurisë te qytetarët.
Kurti ka dënuar ashpër sulmin dhe bëri të ditur se situata është rikthyer në normalitet në pak më shumë se 15% të kapaciteteve të saj. Kryeministri shtoi se nga kontrollet e policisë janë arrestuar disa persona të lidhur me ngjarjen.
Gjithashtu edhe Presidentja Osmani fajësoi Serbinë dhe deklaroi se bandat kriminale serbe kanë humbur në çdo betejë me institucionet e Kosovës.
Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se Beogradi nuk ka asnjë lidhje me atë që ndodhi në veri të Kosovës ku u dëmtua kanali i Ibër Lepencit.
Për të diskutuar më shumë për rikthimin e tensioneve në Veri, në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi ishte analistja Alma Lama.
Analistja u shpreh se pas sulmit mund të qëndrojnë Serbia dhe Rusia. Lame tha se Kurti ka deklaruar se janë gjetur në vendin e ngjarjes shenja të ushtrisë dhe forcave ajrore ruse e serbe.
Sipas analistes, ka një dështim të forcave të sigurisë dhe të shërbimit inteligjent të Kosovës.
Intervista e plotë:
Çfarë mendoni për këtë ngjarje?
Lama: Kryeministri Kurti sapo ka bërë një deklaratë ku përveç Serbisë, deklaron se janë gjetur në vendin e ngjarjes edhe shenja të ushtrisë dhe forcave ajrore ruse e serbe. Besoj që është afër së vërtetës dhe unë mendoj ashtu sepse është në interesin e Rusisë dhe Serbisë që në këtë periudhë të eskalojë situatën në veri të Kosovës. Është një sulm tipik terroroist që mund të ngjallë tensione. Vuçiç e ka mohuar, por duhet të këmi parasysh që në brendësi të Serbisë veprojnë edhe rusët, shërbimet sekrete ruse. Ne kemi pasur në të shkuarën edhe punonjës të organizatave ndërkombëtare të veshur nën petkun e këtyre punonjësve që i përkisnin shërbimeve ruse. Është herët për të thënë se kush janë, por interesi është edhe i Serbisë edhe i Rusisë të tensionojnë situatën.
Kosova kërkoi që trupat e ushtrisë të vendoseshin në Veri dhe është refuzuar nga KFOR. Si mendoni do ishte më i sigurt Veriu nëse do të ishin të vendosur forcat e sigurisë?
Lama: Prania e tyre më shumë merret si një provokim dhe mund të ndezë tensionet. Zyrtarë të Policisë flasin se qeveria e Kosovës nuk i ka nxjerr mësimet nga ajo që ndodhi vjet, ku duhet të kishte plane strategjike për të mbrojtur vepra të tilla. Ka një dështim të forcave të sigurisë dhe të shërbimit inteligjent të Kosovës, por sulme të tilla ndodhin edhe në vende të tjera dhe jo të gjitha parandalohen. Por, angazhimi duhet të ishte pak më serioz. Kurti me anë të deklaratave të tij, i ka paralajmëruar tensione të tilla, por lind pyetja: Nëse këto kanë pasur bazë reale pse nuk janë marrë masa për t’i mbrojtur. Kështu që deklaratat politike mbeten politike. As institucionet ndërkombëtare nuk e kanë drejtuar gishtin nga Serbia, mbetet në vazhdim për të zbuluar më shumë. /vizionplus.tv