Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka rihapur këtë të hënë garën për ndërtimin e rrugës Milot-Balldre.
Sipas njoftimit të Agjencisë së Prokurimeve Publike, kompanitë e interesuara kanë afat deri në datën 2 tetor për të dorëzuar ofertat.
Milot-Balldre do të ndërtohet me partneritet publik privat dhe do të ketë vlerë 365 milionë euro, pa tvsh. Kontrata koncesionare do të jetë e vlefshme për 35 vjet.
Rihapja e garës vjen në kohën kur aksi Lezhë- Milot është prej kohësh një nga rrugët më torturuese për shkak të trafikut tejet të rënduar dhe bllokimeve të gjata.
Nga viti në vit, gjendja në këtë zonë është rënduar për shkak se aty kalojnë mijëra pushues nga Kosova që i drejtohen Shëngjinit apo Velipojës e po ashtu edhe udhëtarë të tjerë apo emigrantë që vijnë apo kthehen në vendet e Europës me makina.
Pavarësisht punës së policisë rrugore, zhbllokimi i aksit Lezhë – Milot, sidomos në fundjavë, është thuajse një mision i pamundur.
Trafiku i Gushtit në të gjitha rrugët e Lezhës mbetet i tillë prej disa vitesh, ndërsa autostrada Milot-Balldren, shihet si zgjidhja e vetme. Në fakt, gara për ndërtimin e kësaj vepre është hapur edhe më herët.
Së fundmi, ajo u anulua zyrtarisht më 14 korrik 2025 nga Ministria e Infrastrukturës sepse asnjë nga ofertat e paraqitura nga kompanitë pjesëmarrëse nuk përmbushte kërkesat e përcaktuara në ftesën për procedurën konkurruese.
/vizionplus.tv





