Vatrat e zjarrit në afërsi të pikës kufitare të Kapshticës, të cilat ishin izoluar gjatë orëve të para të mëngjesit, janë riaktivizuar për shkak të temperaturave të larta që kanë përfshirë juglindjen e vendit gjatë 24 orëve të fundit.
Terreni i thyer malor po e vështirëson ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse, ndaj punonjësit e shërbimit zjarrfikës, në bashkëpunim me forcat e shërbimit pyjor dhe policisë kufitare, po punojnë me mjete rrethanore dhe pompa shpine për të izoluar flakët.
Burime zyrtare bëjnë me dije se pala shqiptare ka kërkuar ndihmë nga pala greke për ndërhyrje nga ajri, por deri tani nuk ka një përgjigje pozitive nga shërbimi civil grek.
Ndërkohë, zjarri vijon të jetë aktiv edhe në thellësi të pyllit të fshatit Vërnik. Gjithashtu, një tjetër vatër është riaktivizuar paraditen e sotme mbi fshatin Dishnicë. Forcat në terren po punojnë për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.





