Teksa procesi i numërimit vijon, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se deri më tani janë numëruar kryesisht vota në të cilat Partia Socialiste ka një lloj avantazhi në ato zona.

Përmes një deklarate për mediat, Vasili tha se mungojnë për t’u numëruar mbi 75 për qind e qendrave të votimit në të gjithë territorin e vendit.

“Siç e dini vazhdon procesi i numërimit, një proces, i cili akoma ka një punë shumë të madhe përpara, pasi mungojnë për t’u numëruar mbi 75 për qind e qendrave të votimit anembanë vendit, kështu që misioni kryesor, detyra kryesore është i komisionerëve dhe në mënyrë të veçantë numëruesve. Numëruesit kanë një rol të jashtëzakonshëm, pasi çdo votë është e pazëvendësueshme, është e ditur dhe e njohur dhe e bërë publike që janë numëruar kryesisht vota në të cilat Partia Socialiste ka një lloj avantazhi në ato zona ku janë numëruar, dhe detyra në mënyrë të veçantë numëruesve bëhet akoma më me përgjegjësi të lartë, pasi pjesa dërrmuese e kutive të votimit, që janë disa mijëra anembanë vendit, kanë të bëjnë kryesisht me ato zona, të cilat kanë një mbështetje të gjerë e të rëndësishme të LSI-së, por edhe të opozitës në tërësi, ndaj duhet mobilizim, çdo gjë është në proces, çdo gjë vazhdon, çdo gjë ka një rëndësi të jashtëzakonshme.”

Më tej, ai inkurajoi numëruesit që të vijojnë punën e tyre dhe të tregojnë solidaritet me njëri-tjetrin.

“Pra, çdo votë duhet numëruar ashtu sikurse është hedhur dhe ashtu siç është vullneti i qytetarëve. Ndaj mobilizim. Është përpara një punë shumë e madhe, e cila vetëm sa ka filluar. Kështu që, inkurajim të plotë, solidaritet njëri – tjetrit për të qenë të freskët, sepse kuptohet është një proces që kërkon edhe energji, por të gjithë së bashku do ta çojmë deri në fund, duke numëruar edhe votën e fundit, dhe sigurisht duke lexuar edhe të gjithë atë vullnet të zgjedhësve tanë, i cili ndodhet në kutitë e votimit dhe që pret të trajtohet me korrektesë dhe në respekt të plotë të ligjit. Prandaj, forca të gjithë numëruesve, lodhja vërtet nganjëherë bën të vetën, por aty janë edhe ekipet e tjera, të cilët freskojnë njëri – tjetrin dhe çdo gjë të eci në rrugën e duhur.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *