Subscribe

Në muajin gusht depozitat në valutë në bankat shqiptare shënuan shifra rekord,  duke reflektuar si bumin turistik që sjell më shumë monedhë të huaj në vend përmes konsumit e hotelerisë, por edhe prurjet e emigrantëve.

 

MATEO SPAHO

EKSPERT I TREGUT FINANCIAR

 

“Jemi në një situatë ku kemi rritje ekonomike, qoftë në Eurozonë, qoftë në Shqipëri, edhe përtej inflacionit. Kemi edhe një situatë ku në Shqipëri kemi pasur jo pak emigrantë të rinj dhe që sjellin remitancat e tyre, një pjesë të kursimeve i sjellin në Shqipëri. Duke mos u mjaftuar me kaq, kemi edhe një interesim të të huajve që duan të blejnë apartamente apo kanë blere apartamente. Ata kanë hapur llogari bankare, kanë vendosur një pjesë të të ardhurave në depozita. Janë të shumta arsyet.”

 

Ky bollëk eurosh në treg, sipas ekspertëve, raporton Vizion Plus, ushtron presion mbi kursin e këmbimit, duke mos lejuar që raporti euro-lek të rikthehet në nivelet historike që jemi mësuar.

 

MATEO SPAHO

EKSPERT I TREGUT FINANCIAR

 

“Është normale që të ndikojë. Nëse nuk ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në dobësimin e euros, përbën gjithmonë një valvulë presioni sepse ato paratë nesër, pasnesër mund të shkëmbehen me lekun. Gjë që të tregon se kursi i këmbimit euro-lek do të vazhdojë të qëndrojë në norma që nuk favorizon eksportuesit shqiptarë, përtej sezonit veror. Pikërisht sepse këto euro janë stok në vendin tonë dhe një ditë, në një moment të caktuar mund të këmbehen. Në një mënyrë ose në një tjetër, do të jenë të destinuara të shkëmbehen, por mënyra sesi shkëmbehen dhe koha do të jenë të rëndësishme për kursin e këmbimit. Edhe pse sot është e vështirë të mendosh se do të kemi një euro më të fortë se 110 lekë. Do të vazhdojmë të ngelemi në këtë nivel edhe për shumë kohë.”

 

Kursimet në valutë në Shqipëri kanë pasur rritje të qëndrueshme vit pas viti, ndërsa në muajin gusht u regjistrua rritja më e madhe mujore në nivelin e 4,2% që nga koha kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat./ Vizion Plus

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *