Subscribe

Pesë mijë banorë të bllokut të pallateve pranë shkollës së re “Xhezmi Delli” në Njësinë 3 në kryeqytet, përfitojnë infrastrukturë më të mirë falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës në rrugët “Arben Minga”, “Ali Baushi” dhe “Skënder Kurti”. Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se kjo ndërhyrje do t’i japë vlerë më të madhe pronës së banorëve.

 

“Jam vërtet krenar për gjithë kantieret që kemi hapur në Njësinë 3. Kur flasim për rehabilitim nuk flasim vetëm për asfalt, por për të gjitha shtresat e nënshtresat, tubacionet për rrjetet, qofshin ato rrjete të ujësjellësit, qofshin kanalizime, ujëra të bardha, ujëra të zeza, fibër optike, energjia etj”.

 

Veliaj kërkoi edhe bashkëpunimin e banorëve për të kryer më shumë investime.

 

“Dua shumë që të gjejmë bashkëpunim me banoret sepse është shumë e rëndësishme të mbajmë premtimet tona, por është po aq e rëndësishme që edhe banorët të na japin një dorë kur është fjala për të tërhequr pak avllinë, në mënyrë që të përfitojmë trotuare për të gjithë. Njerëzit duhet të kuptojnë se infrastruktura e re do sjellë më shumë trafik, do ketë më shumë lëvizshmëri sesa një vend me baltë e gurë, por ama, që kjo lëvizshmëri të jetë e sigurt, na duhet një trotuar mbrojtës. Kjo bëhet fillimisht për ata që jetojnë këtu, nuk bëhet as për parti, as për bashki. Kjo bëhet për banorët që jetojnë këtu,”

 

Kryebashkiaku ftoi gjithashtu banorët që të përfitojnë nga Fondi i Komunitetit, 50% të vlerës së investimit për të ndryshuar fasadat e pallateve të vjetra të zonës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *