Qyteti bregdetar i Vlorës, për tre ditë me radhë ishte epiqendra e sportit të velave në Mesdhe, teksa organizimi i Regatës “Brindisi-Vlorë”, përkoi me vitin e parë si një garë ndërkombëtare.
E gjitha kjo një sukses mëse i merituar për organizatorët e kësaj Regate me Vela, Lega Navale Italiane, të cilët këtë edicion të 14-të, regjistruan numrin rekord rreth 60 barka me vela pjesmarrëse, të përbëra këto nga ekuipazhe të të gjitha nacionaliteteve, teksa dominojnë italianët prej edhe nga ka nisur të marrë jetë ky edicion.
Vlen të përmendet fakti se për herë të parë në Regatën Brindisi-Vlorë, u regjistrua edhe një barkë me vela me flamurin shqiptar, pra ndryshe nga edicionet e tjera teksa ekuipazhet shqiptare janë përfaqësuar me barka me flamur të huaj.
Në mbrëmjen e së shtunës në një atmosferë miqësore plot emocion, u shpallën edhe fituesit teksa ishte barka me vela “Eksellent” me kapiten Oscar Piazzo ajo që u ngjit në podium.
Kështu pra, pas një gare të fortë në det të hapur, velistët e nisur nga Brindisi në Vlorë, përshkruan për pak orë Kanalin e Otrantos duke mbërritur në Marina Orikum, e cila për të katërtin vit rradhazi mirëpret qindra velistë nga Mesdheu.
Edicioni i 14 i Regatës me Vela “Brindisi-Vlorë”, prezantohet tashmë si një event sportiv ujor i konsoliduar, duke u kthyer në një traditë të përvitshme mes Italisë dhe Shqipërisë, si një simbol mikpritjeje për të gjithë velistët, dhe ata të cilët janë të apasionuar pas magjisë së detit.
“Unë kam qenë pjesë e të gjitha regatave të tjera Brindisi-Vlorë, teksa më duhet të ndaj lajmin se vetëm dy javë më parë, jam zgjedhur president i Lega Navale – Seksioni i Brindizit. Kjo detyrë e re natyrisht që për mua është një eksperiencë e re dhe shumë e veçantë, ndaj edhe do të angazhohem fuqimisht që në edicionin e ardhshëm, ne si Lega Navale të jemi akoma më të shumtë në numër. Kjo si për sa i përket ekuipazheve pjesëmarrëse, por edhe duke përmirësuar cilësisht kushtet e të bërit të një gare dinjitoze me rivalitet. Gjej rastin të falënderoj Marina Orikum, e cila si në të gjitha edicionet e fundit ka shkëlqyer me shërbimet e saj të dedikuara me profesionalizëm këtij sporti i cili ka specifikat e veta mjaft të veçanta”, tha Gianluca Fischetto, President i Lega Navale Italiana – Brindizi.
“Ndihem jashtëzakonisht i kënaqur për këtë ngjarje sportive, për këtë Regatë tashmë edhe ndërkombëtare, e cila është kthyer në një event mjaft të rëndësishëm për të gjitha vendet që lagen nga Deti Adriatik. Janë rreth 600 velistë dhe të tjerë nga ekuipazhet pjesëmarrëse në garë, ekipet ndihmëse deri edhe ato familjare, të cilët çdo edicion të kësaj Regate e shohin atë si një event sportiv miqësor mes dy vendeve. Vit pas viti konstatohet një rritje e nivelit profesionist duke përmirësuar paraqitjen në një garë dinjitoze”, u shpreh Salvatore Zarcone, drejtues i Regata “Brindizi-Vlorë”.
Regata “Brindisi-Vlorë” ishte një event sportiv që i dha qytetit të Vlorës një audiencë ndërkombëtare, teksa e gjithë vëmendja u përqendrua edhe tek projekti ambicioz i transformimit të Marinës së Orikumit. Kjo si një ndër investimet më të rëndësishme në industrinë e nautikës në rajonin ballkanik, i cili zhvillohet nga ana e grupit “Concord Investment”.
Arkitekti austriak, i njohur tashmë në mbarë botën Chris Precht, nëpërmjet projektit të tij tashmë i realizuar, është përpjekur t’i japë Marina Orikum një frymë të re, bashkëkohore, dhe natyrisht elegante dhe mjaft funksionale.
“Projekti i Marina Orikum, është ndër më inovatorët në Mesdhe. Është i vetmi në llojin e tij, në këtë lloj fryme dhe stili. Ka një lokacion fantastik ku ndërthuret natyra, deti, infrastruktura dhe të gjuitha bëhen bashkë në një mënyrë shumë të bukur, estetike dhe fine. Arkitekti me famë botërore, Christ Precht, ka sjellë frymën dhe idetë e tij edhe në Shqipëri. Është një projekt shumë i bukur dhe i veçantë, dhe do të ketë shumë klientë të huaj që do ta mbështesin si projekt”, u shpreh Bleona Gashi, arkitekte, departamenti i Arkitekturës, “Concord Investment”.
“Është një sfidë mjaft e veçantë për grupin “Concord Investment, sepse është një projekt madhështor, do të shndërrrohet në një nga më të mëdhatë në Mesdhe me 850 poste parkimi për varka dhe jahte. Përveç Marinës do të jetë edhe pjesa rezidenciale, si edhe ajo e hotelerisë. Projekti ndërthur Marinën, pjesën rezidenciale e përbërë nga hoteli dhe vilat si dhe zonën luxury, yacht club”, tha Kristi Mbroçi, inxhinier, departamenti teknik, “Concord Investment”.
Design-i i integruar me elementë natyrorë, struktura moderne rezidenciale, shërbimet hoteliere me 5 yje, e prezantojnë projektin e Marina Orikum, jo vetëm si një mundësi investimi ekonomik, por edhe si një vlerë arkitekturore duke shërbyer si një model suksesi për sa i përket zhvillimeve të reja falë investimeve të tilla strategjike përgjatë bregdetit shqiptar.
“Ky është një projekt, i cili në një farë mënyre është vazhdimësi i një projekti të ndërtuar më parë, me një vizion shumë avangard për kohën, Marina e parë dhe për momentin e vetmja aktive dhe operative në tregun shqiptar. Ky projekt me apartamente luksi përfaqëson tanimë një destinacion si për ata të apasionuarit e varkave me vela apo mjeteve lundruese të tjera, si për ata që duan të investojnë në tregun e pasurive të paluajtshme dhe të shohin dhe të ardhura dhe rritje të investimit. Shqipërisë i ka ardhur momenti të krijojë destinacion edhe për pronë luksi. Pronë luksi nuk do të thotë vetëm çmim i lartë, por edhe facilitete rreth e qark. Ky projekt mund të konsiderohet një nga avangardët në stilin e pronave të luksit për Shqipërinë”, tha Ilda Zaloshnja, Forbes Global Properties.
“Ne jemi shumë krenarë kur shohim rritjen që ka Shqipëria dhe zhvillimi i tregut të pronave. Marina është një shembull shumë i mirë sesi Shqipëria po rritet dhe e ardhmja e Shqipërisë është super e ndritshme. Forbes Global Properties është partneri juaj serioz për të prezantuar pronat e luksit kudo”, deklaroi Brandan Mativi, Forbes Global Properties.
Regata Brindisi-Vlorë, e cila mbylli siparin në Marina Orikum, nuk ishte vetëm një garë e sportit të bukur dhe të veçantë të velave. Kjo sepse më tepër ishte një manifestim i bashkëpunimit ndërkombëtar, i pasionit për detin dhe një dëshmi konkrete e potencialit që Shqipëria, ka për të shkëlqyer në arenën e turizmit elitar nëpërmjet investimit në Marina, e gërshetuar kjo me atë të sporteve ujore.
/vizionplus.tv





