Cdo vendim i këshillit evropian për negociatat varet nga dinamikat e brendshme të Europës.

 

Deklarata u bë sot në Bruksel  nga komisioneri për zgjerimin Johanes Hahn, i cili bëti të qartë se nëse bisedimet nuk hapen, kjo nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë shqiptare.

 

Qëndrimi i komisionerit Hahn u bë i ditur në një dalje për mediat së bashku me kryeministrin Rama, i cili prej dy ditësh ndodhet  në Bruksel për të lobuar për negociatat.

 

 

JOHANNES HAHN

 

KOMISIONER I BE PËR ZGJERIMIN

 

 

Ne e konfirmojmë që Shqipëria i ka përmbushur detyrimet. Kishim një marrëveshje bazuar mbi një vendim unanim të të gjithë vendeve anëtare për 5 prioritetet kyçe, mbi të cilat përpiluam një vlerësim vjet, përsëri këtë vit bëmë një vlerësim dhe rekomanduam këtë vit, njësoj si vitin e kaluar, që të nisin negociatat. Nëse nuk ndodh sot, sepse është agjenda e Këshillit Europian, nuk do ishte për ndonjë dështim të Shqipërisë, apo qeverisë së vendit. Është një çështje që lidhet me dinamikat e brendshme të Europës dhe mendoj që është e rëndësishme që ta dinë qytetarët e Shqipërisë këtë. Do doja vetëm të inkurajoja qeverinë të vazhdojë me reformat që po zhvillojnë, sepse është në interes të qytetarëve shqiptarë. Nuk bëhet për të na kënaqur ne. Përsa i përket Komisionit Europian, ne jemi jashtëzakonisht të përkushtuar që të vazhdojmë përpjekjet e përbashkëta, për të përmirësuar kushtet e jetesës në rajon dhe veçanërisht në Shqipëri. Do të bëjmë gjithçka dhe shpresoj që sapo të zgjidhen problemet e brendshme të BE-së, të ketë një ndikim pozitiv edhe mbi anëtarësimin e rajonit.

 

 

Ndërkohë shefi i qeverisë, Edi Rama u shpreh se Shqipëria e ka bërë atë që i është kërkuar në lidhje me procesin e negociatave.

 

 

EDI RAMA

 

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

 

Zoti Hahn e shprehu fare qartë. Ne  e kemi bërë atë që na është kërkuar. Po përtej faktit që çfarë kemi bërë ne dhe çfarë duhet të bëjmë, jemi në kushtet kur në Këshillin Europian diskutohet për çfarë duan, apo nuk duan të bëjnë vetë anëtarët e familjes për familjen e tyre, pasi dihet që një anëtar i rëndësishëm i familjes kërkon një qasje tjetër të të gjithë familjes ndaj këtij procesi. Kjo do të thotë që, nga njëra anë, ne duhet ta kuptojmë qartë këtë situatë dhe nga ana tjetër ta vazhdojmë procesin e reformës, sepse, siç e tha dhe Komisioneri, nuk i bëjmë pse po na i kërkon Brukseli, Londra, Parisi, apo Berlini, por i bëjmë sepse na i kërkon nevoja që t’u lemë fëmijëve tanë një Shqipëri europiane, me institucione demokratike, me një shtet institucional të së drejtës dhe një ekonomi me standarde të Bashkimit Europian.

 

 

 

Kryeministri vijoi takimet në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të BE Federica mogherini  me të cilën diskutoi mbi mundësitëv e një vendimi pozitiv për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *