Edhe pse u paralajmërua, ishte e pabesueshme që të ndodhte vërtet në shekullin që po jetojmë.

 

Sirenat e frikshme që paralajmërojnë sulme me raketa dhe bombardime, i drejtuan njerëzit në stacionet e metrove, bodrume apo në bunkerë të luftës së ftohtë.

 

Qëndrimi në Ukrainë nuk do të ishte më një zgjedhje për më shumë se 2.1 milionë njerëz që tashmë janë larguar.

 

Gra dhe fëmijë janë ndarë nga familjarët e tyre, në një dramë që drithëron thuajse çdo ditë, të gjithë kontinentin e vjetër.

 

Maria Bohutovska e intervistuar nga Vizion Plus, është njëra prej tyre. Bashkë me djalin15-vjecar u detyrua të largohej nga Odessa, por bashkëshorti i saj duhej të qëndronte në qytetin strategjik  jugor që tashmë është kthyer në një shënjestër kryesore për pushtuesin.

 

MARIA BOHUTOVSKA

REFUGJATE

 

“Jemi pesë pjesëtarë të familjes time që u larguam, unë me djalin tim, mami dhe motra me vajzën e saj. Ne udhëtuam me makinë në kufi , hipëm në anije dhe me pas arritëm këtu në Rumani. Bashkëshorti im qëndroi në Ukrainë për të luftuar. Është shumë e vështirë për mua nuk mund ta shpjegoj me fjalë se çfarë ndjej.”,.

 

“Odessa është shkatërruar plotësisht”, rrëfen Maria per Vizion Plus, pa mundur të mbajë dot lotët.

 

“Situata në vendin tim është e tmerrshme. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se një gjë e tillë do të ndodhte. Është një luftë e tmerrshme jo një operacion special. Një ditë para se të largohesha u dëgjuan bombardime dhe sirena pa pushim. Unë isha shumë e frikësuar për familjen time. Njerëzit atje janë të demoralizuar  sepse nuk e dinë se kur do të marrë fund.”

 

Maria thote per Vizion Plus bashkë me familjen e saj tashmë po jetojnë në Gjermani. Adelbert Ringëald, hapi dyert e shtëpisë së tij, për t’i mirëpritur.

 

Prej shumë vitesh, Adelbert ka jetuar në Shqipëri.

 

Ai është një ndër personat që ndihmoi në mbledhjen e ndihmave në Elbasan dhe Durrës, për t’i dërguar ato në Rumani./ Joana Preja-Vizion Plus

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *