Reforma territoriale dhe mënyra e organizimit të administratës vendore duhet të jenë një vendim i vetë Shqipërisë dhe jo një model i imponuar nga jashtë. Kështu është shprehur nga Pogradeci ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran, i cili theksoi se çdo vend ka historinë, traditën dhe nevojat e tij për organizimin territorial.
Duke sjellë si shembull edhe Francën, vendin e tij të origjinës, Tarran tha se brenda vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së ekzistojnë modele shumë të ndryshme të organizimit vendor.
“Ne nuk kemi një model që e imponojmë dhe që e konsiderojmë se është më i mirë. Çdo vend ka historinë e vet, traditën e vet dhe nevojat e veta”, u shpreh ambasadori.
Sipas tij, Shqipëria mund të zgjedhë vetë mënyrën se si do të organizojë administratën territoriale, qoftë me 61 bashki, siç është aktualisht, apo me një numër tjetër njësish vendore.
Tarran nënvizoi se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar dhe se reforma ndodhet në fazën e diskutimit dhe konsultimit.
Ai vuri theksin veçanërisht tek përfshirja e pushtetit vendor në këtë proces, duke argumentuar se një vendim i rëndësishëm për organizimin territorial nuk duhet të merret pa konsultimin e nivelit lokal dhe atij qendror.
Ambasadori i OSBE-së tha se është ende herët për të dhënë një vlerësim nëse procesi i konsultimit është zhvilluar në mënyrë të kënaqshme, pasi diskutimet vijojnë.
Deklarata e Michel Tarran vjen në një kohë kur në Shqipëri ka nisur debati për ndryshimin e hartës territoriale dhe numrit të njësive vendore, një çështje që pritet të shoqërohet me diskutime të gjera mes institucioneve, politikës dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.





