Eskperti i ekonomisë, Arben Malaj, në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me situatën ekonomike në vend, rritjen e çmimeve dhe premtimet e qeverisë për reformë në pagë.

 

Çfarë fshihet pas premtimit të qeverisë për rritjen e pagave? A mund të arrihet synimi për rritjen e pagës mesatare në 900 euro dhe a do të ndjekë këtë rritje edhe sektori privat? Pse pikërisht tani kjo reformë pagash?

 

“Rritja e pagava dhe pensioneve është e domosdoshme dhe për këtë ka tre arsye kryesore, janë rritur ndjeshëm çmimet dhe është goditur fuqia blerëse e pagave dhe pensioneve. Nëse inflacioni mesatar është 7%, ai ushqimor është 38%, pra kemi rritje të varfërisë. Rreth 60% e popullatës harxhon rreth 70% të të ardhurave për ushqime, strehim dhe nevojat jetike. E dyta, ka një rritje të pabarazisë. Kemi parë që nuk janë rritur për një kohë të gjatë pagat e punonjësve, nga ana tjetër fitimet janë rritur ndjeshëm, kemi thellim të pabarazisë. Kohezioni social është cënuar, sepse një pjesë varfërohet dhe një tjetër pasurohet, sepse edhe në kohën e krizave të varfërit, varfërohen dhe të pasurit pasurohen, është e domosdoshme dhe është e nevojshme. Nuk ka qeverisje të mirë pa luftuar pabarazinë, nuk ka qeverisje të mirë pa ndalur varfërinë dhe nuk ka qeverisje të mirë nëse të ardhurat nuk ndahen midis grupeve sociale, ajo që ne e konsiderojmë kohezion dhe stabilitet social”, tha ai. “Pavarësisht dëshirës së mirë, ka një pikë të dobët, pasi ka qeverisur për 10 vjet dhe rritja ka qenë simbolike. Pikërisht në prag të zgjedhjeve vendore shikojmë një premtim për rritje të lartë të pagave. Nëse rritja e pagave nuk do mbështetet nga rritja e produktivitetit, ajo nuk do të jetë një rritje e qëndrueshme. Nëqoftëse i rrisim pagat, pensionet, japim bonuse thjesht nga të ardhurat që kemi marrë nga inflacioni i lartë, nuk është burim i qëndrueshëm, sepse Banka Qendrore po lufton që ta ul inflacionin dhe në vitet e ardhshme nuk do të kemi të njëjtën sasi parash që vjen nga inflacioni, i cili është një taksim mbi të varfërit e një vendi. Në këtë aspekt duhet të kemi parasysh që rritja të jetë e arsyeshme, nuk duhet të jetë spontane, ky është dhe shqetësimi që ka biznesi, sepse vendi qeveriset me strategji afatmesme të zhvillimit, projekti makro-ekonomik se ku shkon vendi në rritjen ekonomike, në uljen e inflacionit, në rritjen e punësimit, në uljen e deficcitit dhe borxhit. Këto nga buxheti afatmesëm kalojnë në buxhetin vjetor. E para duhet bërë normë e detyrueshme që objektivat që ke në fushën e mbrojtjes sociale t’i kesh pjesë të programit konkurrues, jo t’i kesh spontane. E dyta patjetër duhet t’i realizosh”, shtoi ai.

 

Qeveria premton se nuk do të thellojë më tepër borxhin publik nga reforma e pagave, por këto para do të vijnë nga mirëadministrimi. Sa e realizueshme është nga buxheti që ne kemi?

 

“FMN dhe Banka Botërore dhe BE janë të shqetësuar që për shkak të PPP, stabiliteti i financave publike është në udhëkryq. Duhet të ndërgjegjësohemi që të mos na ndodh si në rastin e Greqisë. Kur Greqia u qeveris për një kohë të gjatë nga neo-demokracia, të dyja partitë ngritën pagat në konkurrimet e tyre elektorale dhe ishin populiste sepse kishin financime nga BE. Në momentin që në 2008-ën Greqi ra në një krizë të rëndë, gjëja e parë që kërkuan ata që i kishin dhënë borxh, edhe BB edhe FMN, ishte të shkurtonte rritjen e pagave dhe pensioneve që ishin rritur në mënyrë jashtë logjikës ekonomike, por vetëm për përfitime populiste. Duhet të bëjmë shumë kujdes dhe nuk e di ku e gjen garancinë Ministria e Financës që të thotë se kjo rritje e konsiderueshme e pagave nuk do të konsiderojë dhe nuk do jetë rrezik për stabilitetin e financave publike, por njëkohësisht ato do të prekin edhe ekonominë. Një rritje e pagave arbitrare mund të cënojë ekonominë shqiptare që të jetë konkurruese. Për fat të mirë biznesi privat, aq sa kam informacion, ka pasur dëshirë të bashkëpunojë me qeverinë për një rritje më graduale. Qeveria duket se edhe për qëllime elektorale, përditë kemi nga një premtim të ri për një grup, ka shumë spontanitet, që do të thotë se këto premtime rrezikojnë të jenë edhe në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, por edhe me mirëqeverisjen, pra janë premtime me teks të qartë elektoral”, theksoi ai.

 

Mazhoranca është akuzuar shpesh për fryrje të administratës, si do të ndikojë e gjithë kjo rritje pagash?

 

“Kjo është një problem shumë i madh. Në administratët buxhetore kur miratohet buxheti është edhe lista e punonjësve sipas institucioneve dhe ajo është 80 mijë. Duke qenë se nuk e fryn dot administratën është gjetur zgjidhja që nëpërmjet kompanive publike në nivel vendor dhe në kompanitë e mëdha publike është fryrë numri i punonjësve. Fryrja e numrit të punonjësve në administratën e kompanive publike dhe qeverisjej vendore ka krijuar shqetësime dhe është rritur numri i bashkive që kanë rrezik për menaxhim të shëndetshëm të financave dhe njëkohësisht edhe kompanitë publike rezultojnë me humbje të mëdha, për shkak të rritjes artificiale të kostos për punësimet elektorale”, përfundoi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *