Champions League rikthehet me ndeshjet e para dhe që në javën e parë rezervon një përballje spektakolare, Real Madrid–Inter.
Dy nga klubet më të mëdha të futbollit europian përballen në një sfidë që premton shumë emocione dhe që mund të ketë peshë të madhe në garën për kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ve të finales.
Takimi do të zhvillohet në orën 21:00 në Santiago Bernabeu, ndërsa arbitër i sfidës do të jetë anglezi Michael Oliver.
Real Madridi pritet të zbresë në fushë me një formacion 4-2-3-1.
Në portë do të jetë Courtois, ndërsa mbrojtja pritet të përbëhet nga Dumfries, Konate, Huijsen dhe Cucurella. Në mesfushë mund të luajnë Alexander-Arnold dhe Valverde, ndërsa në fazën ofensive Mbappe pritet të mbështetet nga Diomande, Bellingham dhe Vinicius Junior.
Në kampin madrilen ka disa mungesa të rëndësishme, ndërsa Tchouameni mbetet në dyshim edhe nëse do ta nisë ndeshjen nga stoli.
Edhe Interi vjen me disa probleme në formacion. Dimarco ka mbetur në Milano për shkak të dëmtimit që pësoi në fundjavë dhe në vend të tij pritet të aktivizohet Carlos Augusto. Në krahun tjetër, Luis Henrique mund të marrë një mundësi nga minuta e parë.
Në mesfushë pritet rikthimi i Hakan Çalhanoğlu, me Barellën në njërën anë dhe Curtis Jones në tjetrën. Për ish-lojtarin e Liverpoolit do të ishte debutimi si titullar me fanellën zikaltër.
Në mbrojtje, Stones mund të nisë nga minuta e parë përkrah Bisseck dhe Bastonit, ndërsa në portë pritet Martinez. Në repartin ofensiv, Cristian Chivu pritet t’u besojë dyshes Thuram–Lautaro Martinez.
Gjithçka është gati për një përballje mes dy skuadrave që synojnë të shkojnë larg në Champions League. Santiago Bernabéu pritet të jetë skena e një prej ndeshjeve më të forta të kësaj jave të parë.





