Raundi i dytë i bisedimeve për qeverinë e re në Itali

Edhe raundi i dytë i konsultimeve për formimin e qeverisë së re italiane ka përfunduar pa rezultat, duke e zgjatur edhe më shumë ngërçin që ka filluar që prej zgjedhjeve të 4 marsit.
Presidenti i Republikës, Sergio Matarella po vijon edhe sot konsultimet. Të gjitha grupet politike kanë shprehur shqetësimin e tyre për situatën në Siri duke konfirmuar rëndësinë e formimit sa më shpejt të qeverisë në mënyrë që Italia të prezantohet denjësisht në vendimet me rëndësi ndërkombëtare.
Koalicioni i qendrës së djathtë është prezantuar në konsultimet me Presidentin Mattarella me një delegacion të vetëm të përbërë nga 3 liderat e partive të këtij formacioni; Silvio Berlusconi i Forza Italia, Matteo Salvini i Lidhjes dhe Giorgia Meloni e Fratelli D’Italia.
Matteo Salvini ka deklaruar se koalicioni i djathtë është i bashkuar e i gatshëm për të formuar një qeveri afatgjatë me një kryeministër të dalë nga Partia Lidhja.
Ndërsa lideri i lëvizjes 5Yje, Luigi Di Maio është shprehur se “nuk duhet humbur më kohë për formimin e qeverisë. E vetmja rrugë për të zhbllokuar krizën qeverisëse është që Silvio Berlusconi të bëjë një hap pas e të lejojë krijimin e një koalicioni qeverisës vetëm mes Partisë Lidhja dhe 5 Yjeve.
Lufta midis krerëve të partive nuk po shkon drejt një zgjidhjeje. Lëvizja 5 yjet janë të gatshëm për të biseduar me Salvinin, por mbyllin çdo hipotezë të afrimit me Berluskonin.
Rezultatet e zgjedhjeve deklaruan fitues Koalicionin e Djathtë me 37%, lëvizja 5 Yje fitoi 32.66% të votave , ndërsa Koalicioni i Majtë, 22.85%.




