Autoritetet europiane kanë zhvilluar një operacion në katër vende kundër një rrjeti që dyshohet se shiste kuaj garash për therje, duke përdorur dokumente të falsifikuara.
Sipas Europol, rreth 200 hetues morën pjesë në aksionet e zhvilluara në Irlandë, Francë, Holandë dhe Belgjikë, ndërsa më shumë se 1,000 kuaj u kontrolluan gjatë hetimeve dhe disa prej tyre u sekuestruan.
Hetuesit dyshojnë se personat e përfshirë në rrjet përdornin dokumente të falsifikuara dhe manipulonin në mënyrë të paligjshme mikroçipat e kuajve, në mënyrë që kafshët e tërhequra nga garat të klasifikoheshin si të përshtatshme për therje.

Autoritetet kanë ngritur shqetësime për faktin se shumë prej kuajve kishin marrë më parë medikamente dhe, për këtë arsye, nuk ishin të autorizuar për konsum njerëzor.
Megjithatë, sipas hetuesve, disa prej tyre u therën dhe mishi u hodh në treg.

Prokurorët belgë thanë se përmes kësaj skeme kuajt, të cilët më parë kishin pak ose aspak vlerë vlerë tregtare, mund të shiteshin për 1,000 deri në 1,500 euro.
Gjatë operacionit në Belgjikë u sekuestruan më shumë se 100 mijë euro në para të gatshme, ndërsa tre persona u arrestuan. Hetuesit po përpiqen gjithashtu të zbulojnë fatin e kuajve të tjerë që dyshohet se janë të lidhur me rrjetin.
Organizata holandeze për mirëqenien e kafshëve, House of Animals, deklaroi se shumë prej kafshëve ishin kuaj garash të tërhequr nga aktiviteti në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë. Sipas organizatës, ato më pas u transportuan në kushte të këqija drejt vendeve të tjera europiane, përpara se të përfundonin në thertore.

House of Animals pretendon gjithashtu se mishi i përpunuar i kuajve dyshohet se është përdorur në produkte të tilla si qofte dhe kroketa, të cilat më pas janë shpërndarë përmes tregtarëve me shumicë.
Hetimet vijojnë në të katër vendet europiane për të zbardhur përmasat e plota të rrjetit dhe për të përcaktuar se sa kuaj mund të jenë përfshirë në këtë skemë.





