Parlamenti i Hungarisë nuk do të ratifikojë anëtarësimin e Suedisë në NATO para pushimit të verës, pasi kjo çështje nuk është përfshirë në agjendën e javës së ardhshme, raportuan mediat hungareze.

 

Portalet hvg.hu dhe index.hu raportuan se Parlamenti, ku shumicë është partia Fidesz e kryeministrit Viktor Orban, do të shtyjë edhe më tej votimin duke u thirrur në përkeqësimin e raporteve me Suedinë.

 

Zyra për media e Parlamentit hungarez nuk ka konfirmuar këto raportime, por ka thënë se agjenda për seancën e javës së ardhshme do të finalizohet të enjten.

 

Ligjvënësja opozitare e majtë, Agnes Vadai, shkroi në Facebook se Orban nuk do ta hedhë në votim pranimin e Suedisë në NATO në seancën e javës së ardhshme.

 

Ministria e Jashtme suedeze nuk i është përgjigjur kërkesës së Reuters për të komentuar për këtë çështje.

 

Suedia dhe Finlanda hoqën dorë nga politika shumëvjeçare e mosangazhimit ushtarak pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar. Të dyja shtetet kërkuan siguri më të madhe duke shprehur dëshirën që t’i bashkohen NATO-s. Finlanda u bë anëtare e aleancës në prill, por procesi për Suedinë ka qenë më i ngadalshëm.

 

Suedia po kërkon që t’i bashkohet aleancës gjatë samitit të 11 dhe 12 korrikut. Përderisa Stokholmi ka mbështetje nga shtetet e tjera anëtare, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe Hungaria deri më tani nuk kanë ratifikuar pranimin e Suedisë në NATO.

 

Me procesin e ratifikimit të bllokuar në Parlamentin hungarez që nga korriku i vitit të kaluar, Orban në shkurt për herë të parë shprehu shqetësimet lidhur me anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.

 

Ai ka akuzuar të dyja shtetet se po “përhapin gënjeshtra” lidhur me demokracinë dhe sundimin e ligjit në Hungari, edhe pse ligjvënësit hungarezë në fund të marsit ratifikuan pranimin e Finlandës në aleancë./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *