Partia Demokratike akuzon qeverinë se është bërë shkak që investitoret amerikanë të mos e konsiderojnë fare Shqipërinë ne planet e tyre.

 

Duke iu referuar raportit të departamentit të shtetit deputetja Jorida Tabaku tha se kriza e thellë ku ndodhet vendi është pasojë e kriminalizimit të ekonomisë.

 

“Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit për të mos e konsideruar Shqipërinë si një vend miqësor për bizneset amerikane nuk është një rrufe në qiellin e hapur të një vendi të qeverisur nga narkotrafikantët dhe oligarkët. Kohët e fundit Dhoma Amerikane e Tregtisë ka theksuar klimën armiqësore ndaj biznesit, por në vend të reagimit për të ndryshuar situatën, kryeministri Rama ka sulmuar publikisht, Kryetarin e Dhomës Amerikane të Tregtisë.

 

Thuajse në të gjitha raportet, Dhoma Amerikane e Tregtisë kundërshton rritjen e taksave dhe pengimin e investimeve serioze amerikane nga burokracitë. Apo thënë ndryshe nga korrupsioni, që është edhe një nga kriteret e përdorur nga Departamenti amerikan i Shtetit për futjen e Shqipërisë në listën e zezë të vendeve jomiqsore për biznesin amerikan. 

 

Opozita e ka denoncuar me forcë këtë sjellje të qeverisë, për shkak të së cilës Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi më i fuqishëm ekonomik në botë, partneri ynë strategjik, renditet në vendet e fundit sa i takon investimeve të huaja në Shqipëri.  Sot në Shqipëri nuk ka investitorë amerikanë dhe invstitorë të tjerë të huaj, sepse askush nuk investon në një vend ku çdo pushtet e ka marrë kryeministri. Askush nuk investon në një vend ku Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë është asgjesuar nga kryeministri. 

 

 Zgjidhja e vetme për këtë krizë të thellë politike dhe ekonomike është çlirimi i qeverisjes, çlirimi i tregut nga oligarkia, paratë e pista të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

 

 Ka ardhur koha për një ndryshim rrënjësor!”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *